.

Studimi i fundit: Njerëzit duhet të bëjnë pushime një herë në 43 ditë punë

Lodhja, stresi në punë gjithmonë ndikojnë negativisht në organizmin tonë. Nëse nuk kemi një mendje të çlodhur dhe të qetë atëherë pasojat negative do i shohim në punën që bëjmë. Sipas një vëzhgimi të bërë puntorët britanikë kanë nevojë për të bërë pushime çdo 43 ditë për të shmangur lodhjen e tepërt. Një studim i porositur nga SPANA , zbuloi se marrja e ditëve të pushimit të paktën një herë në gjashtë javë ndihmon për të ndaluar lodhjen në punë. Ky studim u bë me ndihmën e 2.000 punonjësve të zyrave ku 70% e tyre thanë se vuajnë nga lodhja dhe ndjehen të dështuar nëse nuk shkojnë me pushime.

Shenjat kryesore për të pasur nevojë për pushime përfshijnë ndjenjën e stresit dhe konstatimin se mirëqenia juaj mendore ka filluar të vuajë. Tre nga dhjetë punonjës u shprehën se qëndronin disa netë pa gjumë kur kishin nevojë për ca kohë pushimi dhe 23% e tyre e gjenin veten duke qarë pa asnjë arsye.

Por me kufizimet e udhëtimeve për shkak të pandemisë, shumë njerëz po zgjedhin të mos përdorin lejën e tyre pasi nuk mund të shkojnë jashtë vendit aq lehtë. Sidoqoftë, studimi zbuloi se nuk është e nevojshme të udhëtoni në një vend të caktuar për të ndjerë përfitimet e pushimit, 70% e tyre janë po aq të lumtur të kalojnë disa ditë pushimi në shtëpi.

Gati gjysma e atyre që do dëshironin të bënin pushime menjëherë thanë se i mjaftonte vetëm qëndrimi në kopsht dhe 43% nuk duan asgjë më shumë veçse të vendosin këmbët para Tv , ndërsa 41% e tyre do të përdorin kohën për të lexuar një libër. Por, një e pesta e punëtorëve u pëlqen mendimi për të rezervuar kohën e lirë për të bërë absolutisht asgjë. Kur u pyetën se si ndjehen për punën tani, 26% mendojnë se po përballen mirë, por një në 10 të rritur ndjehen të stresuar, dhe një tjetër 8% janë të lodhur.