.

Vila luksoze, makina dhe toka, SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme miratim sekuestroje për pasuritë e “bosave” të krimit


Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkon Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të miratojë sekuestron për 7 raste të goditura nga operacioni “Forca e Ligjit”, në disa qytete të vendit.

Në një njoftim publik, SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme sekuestrimin e disa pasurive, siç janë vila, automjete luksoze dhe sipërfaqe të mëdha toke, që iu përkasin personazheve të njohur të botës së krimit.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme, nga data 21.02.2020 deri me datën 24.02.2020 ka dërguar aktet për 7 (shtatë) raste, për miratim sekuestroje në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pasuritë e mëposhtme :

Ndërtesë katër kate me pishinë, e ndodhur në Shkodër.
Automjeti, marka “Jeep”, vit i prodhimit 2008.
Automjet, marka “Audi A8”.
Vilë katërkatëshe e ndodhur në Pjezë, Durrës.
Kompleksi “Golden Resort”, i ndodhur në Pjezë, Durrës.
Karburanti “ALT OIL 2008”, i ndodhur në Pjezë, Durrës.
Vilë dykatëshe, e ndodhur në Pjezë, Durrës.
Pasuria tokë arë, me sipërfaqe 3280 m2, e ndodhur në Pjezë, Durrës.
Pasuria tokë arë, me sipërfaqe 398 m2, e ndodhur në Pjezë, Durrës.
Pasuria tokë arë, me sipërfaqe 561 m2, e ndodhur në Pjezë, Durrës.
Pasuria, me sipërfaqe 700 m2, nga të cilat truall nën objekt 478 m2, godinë ekonomike 2 kate dhe ambiente shërbimi (Shoqëria “SABA-Taullau 3” shpk), e ndodhur në Lushnjë.
Pasuria me sipërfaqe 595 m2, nga të cilat truall nën objekt 418.72 m2, godinë ekonomike 2 (dy) kate, karburant dhe ambiente shërbimi, e ndodhur në Lushnjë.
Pasuria me sipërfaqe 235 m2, nga të cilat truall nën objekt 104.7 m2, godinë banimi 2 (dy) kate, e ndodhur në Lushnjë.
Pasuria me sipërfaqe 465 m2, nga të cilat truall nën objekt 155 m2, godinë ekonomike 1(një) kat dhe podrum, e ndodhur në Lushnjë.
Automjet tip “Nisan Pathfinder”, ngjyrë gri.
Automjeti tip “JEEP”, me ngjyrë të errët
Ndërkohë me datën 22.02.2020, është vendosur heqja e masës së sekuestros (në kushte emergjence) të vendosur me Urdhërin Nr.138 datë 04.02.2020, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për pasurinë “Banesë 1 (një) kat, e ndodhur në Shkodër”, pasi u vlerësuar që është sekuestruar në kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ.

Në lidhje me kërkesat e tjera të paraqitura për vlerësim nga Policia e Shtetit, vazhdojnë procedurat e vlerësimit nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.