.

Trump i shtriu dorën, Kim Jong-un pranon të takojë Presidentin e SHBA

 

Donald Trump dhe Kim Jong-un, duket se do të zhvillojnë një tjetër takim mes tyre

I pari dorën e shtriu Presidenti amerikan gjatë pritjes në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit koreano-jugor, Mun Jae-in. E menjëhershme ishte përgjigja e liderit komunist, i cili në një deklaratë për agjencinë shtetërore të lajmeve në Penian, konfirmoi se do të ishte i gatshëm të takonte Trumpin, nëse SHBA-të do të kishin një sjellje të drejtë.

Kim Jong-un i bëri thirrje Presidentit amerikan t’i përmbahet marrëveshjes së arritur nga të dyja palët. Kjo marrëveshje parashikon heqjen e sanksioneve ndaj Penianit dhe denuklearizimin e Koresë së Veriut.

Donald Trump dhe Kim Jong-un zhvilluan takimin e parë historik, vitin e kaluar në Singapor. Ndërsa në Shkurt të këtij viti u takuan për herë të dytë në Vietnam. Ishte pikërisht samiti i fundit që riktheu dyshimet mes palëve. Përballë rezistencës së Trump për të hequr përfundimisht sanksionet, lideri komunist vendosi të braktisë takimin.