.

“Rrugët”, ja kush janë ministrat, zëvendësministrat dhe drejtorët e akuzuar dhe të arrestuar ndër vite

Andi Toma dhe Dashamir Xhika, të dy ish-drejtorë të Përgjithshëm të Rrugëve, kanë përfunduar në pranga nga dita e djeshme të dyshuar për shpërdorim detyre, por këtë nuk janë kurrsesi të vetmit që akuzohen për dëme të mëdha ekonomike, me disa dhjetëra apo qindra miliona euro.

Rrugët në Shqipëri, përveçse janë “vrasësit” më të mëdhenj, për shkak të aksidenteve të ndodhura, janë shndërruar edhe në gjahun  më të mirë të zyrtarëve për të bërë pasuri “ekspres” duke hedhur firma në kontrata, tendera, apo në supervizime, teksa kanë paraqitur fakte të rreme, duke përshkruar si ekzistues asfaltimin e rrugës, vendosjen e sinjalisitikës dhe të bordurave anësore.

Disa prej tyre u dënuan, por pati dhe nga ata zyrtarë të lartë që përfituan nga kalimi i afateve që përcaktonte ligji, edhe pse hetimet e Prokurorisë ishin në finalizimet e tyre.

Sipas TPZ.AL, janë jo pak, por një ministër i Transporteve (Lulzim Basha), dy zëvndësministra të Transporteve (Jaka, Teliti) 3 drejtorë të përgjithshëm të Rrugëve (Bërzani, Toma, Xhika), katër drejtorë juridikë (Sheti, Toma, Qafa) si dhe një numër i madh zyrtarësh të niveleve të ndryshme, apo drejtues firmash.

Ka një historik jo të vogël arrestimesh, akuzash, raportesh të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për abuzime të rënda, apo për punë të pakryera kurrë, por me situacione të paguara me disa miliona euro.

Lulzim Basha, ish-ministër i Transporteve në vitet 2005-2007 u akuzua për shkaktimin e një dëmi ekonomik prej 230 milionë eurosh gjatë ndërtimit të “Rrugës së Kombit”, shumë kjo e përllogaritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (në kohën qe e drejtonte Robert Çeku). Çështja ndaj tij u pushua, për tejkalim afatesh ligjore në gjykim.

Sipas raportit të KLSH, vjedhja e parave është bërë me fatura fiktive, me rritje të kostove vetëm në letër, me tatimin mbi të ardhurat, me pagesa për punë të pakryera. Sipas dosjes dhe raportit të KLSH që në fillim të këtij projekti, janë vënë në dukje shkeljet. Kontrata e përpiluar dhe më pas e nënshkruar nga Lulzim Basha dhe drejtori juridik, Andi Toma, me përfaqësuesit e shoqërisë “Bechtel & Enka” është bërë në bazë të ligjeve angleze dhe jo atyre shqiptare.

Dy ish-zëvendësministra të Transporteve, Nikolin Jaka (korrik 2007, për tenderin e rrugëve Has-Qaf Prush me vlerë 4,7 milionë euro dhe supervizorin e rrugës Durrës-Kukës me vlerë 7 milionë euro) dhe Armand Teliti (shtator 2012, për dosjen “Durrës-Kukës, dëmi i llogaritur 230 milionë euro”).

Gjithashtu janë arrestuar apo akuzuar (pasi kanë fituar gjyqet) tre ish-drejtorë të përgjithshëm të Rrugëve: Ilir Bërzani (rruga Has-Qaf Prush), Andi Toma (rruga “Durrës-Kukës) dhe Dashamir Xhika (rruga Elbasan-Tiranë, Toma ka qenë edhe ish-drejtor Juridik në periudhën 2007) janë akuzuar apo arrestuar për dëme ekonomike.

Bashkë me Nikolin Jaka në operacionin “Duar të pastra” janë arrestuar në korrik të vitit 2007 Ilir Berzani, drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, Bashkim Kamberi, drejtor i prokurimeve ne Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, Alban Qafa , specialist ne Sektorin Juridik te Prokurimeve ne Drejtorinë e Përgjithshme te Rrugëve(u pushua akuza), Arjan Sheti, drejtor i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Përgjithshme te Rrugëve. Xhevahir Mucogllava, drejtor i Drejtorisë së Programimit dhe Koordinimit dhe kryetar i Komisionit te Vlerësimit te Ofertave ne Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Skënder Bokciu, ortak i shoqërisë “Arifaj sh.p.k” si dhe bashkëpunëtor për përvetësimin e tenderëve të rrugëve. Isuf Ukperaj një nga ortaket e shoqërisë “Vllazeria sh.p.k” dhe Enton Resuli ndërmjetës i zyrtarëve dhe biznesmenëve.

Në arrestimet e djeshme të Policisë, përveç Andi Tomës, ish-drejtor i përgjithshëm nga 2008 deri më 2013 dhe pasuesit të tij Dashamir Xhika, që e drejtoi autoritetin rrugor deri në vitin 2017, janë arrestuar edhe administratori i punimeve, Rexhep Tarba dhe dy administratorët e firmës që duhet të kishte kryer punimet, Kujtim Hysa dhe Agron Hysa, nën arrest shtëpie Rezarta Bokçiu, administratore si dhe me detyrim paraqitje, Lek Tushaj, kolaudues, Astrit Xhafa, Malvina Kalabaliu, Afërdita Basha dhe Kastriot Braha.

/TPZ.AL/