.

Vrasja e dy grave në pak ditë, sot ditë zie në Kosovë, flamujt në gjysmështizë

Vrasja e dy grave nga bashkëshortët në pak ditë/ Kosova

Flamuri i Kosovës

KOSOVA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e sotme, të shpallet ditë zie në kujtim të grave dhe vajzave të vrara. Në postimin në Facebook, Osmani ka thënë se shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona.

Dy gra janë vrarë brenda pak ditësh në Kosovë, një në Ferizaj dhe një në Pejë. Në të dyja rastet të dyshuar të çëstheve janë bashkëshortët. Nërkohë, në Kosovë situata po cilësohet si alarmante, teksa po kërkohen veprime urgjente për të parandaluar vrasjen e grave. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë dje se femicidi ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht.

“Fatkeqësisht sot jemi zgjuar të gjithë në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të e një gruaje nga bashkëshorti saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se ri zgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb”, tha Osmani dje.

Gjatë ditës së hënë dhjetëra qytetarë marshuan në qendër të Prishtinës duke bërë thirrje për ofrimin e sigurisë për vajzat dhe gratë. Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si: “Siguri për vajzat dhe gratë”, “Armiku ynë është patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura”.