.

Berisha kërkon sërish ndryshimin e masës së sigurisë, Gjokutaj: Vendimi do të shpallet nga gjykata në orën 14:00

Berisha kërkon sërish ndryshimin e masës së sigurisë,

Berisha

TIRANË- Ditën e sotme po mbahet seanca e radhës në lidhje me heqjen e masës së sigurisë së liderit të PD-së, Sali Berisha. Në lidhje me këtë seancë avokati i Berishës, Genc Gjokutaj njoftoi se Gjykata e Posaçme e Apelit do të shpallë vendim në orën 14:00 lidhur me kërkesën e tyre për heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për klientin e tij.

Pas seancës, Gjokutaj tha për mediat se kanë paraqitur një akt ekspertimi kontabël dhe prova të tjera, të cilat organi i procedurës nuk i pranon, por nga ana tjetër nuk vepron që t’i bëjë vetë si dhe vendimin e përjashtimit.

“Palët dhe prokurorët mbajtën qëndrimin e tyre. Vendimi do të shpallet nga gjykata në orën 2. Në atë orë mund të themi më shumë detaje,” tha ai.

Berisha ka bërë disa herë kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë, por ajo është refuzuar. Po ashtu ai ka kërkuar që të jetë i pranishëm në seancat plenare, si e drejtë e tij për të përfaqësuar interesin e qytetarëve që e kanë zgjedhur, në Kuvend. Pavarësisht pretendimeve të tij, GJKKO ka refuzuar kërkesat. Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish-kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv “Partizani”, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.