.

Vrasja e gruas në Pejë, Osmani: Nuk kemi jetë vajzash dhe grash për të humbur, femicidi në përmasa të jashtëzakonshme

Vrasja e gruas në Pejë, Osmani: Nuk kemi jetë vajzash dhe grash

Vjosa Osmani

KOSOVA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë, dënoi vrasjen në Pejë, duke theksuar se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat. Osmani tha se ky femicid për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht. Ajo shtoi se mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

Sot u raportua se një grua dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj në banesën e tyre në Pejë të Kosovës. Ngjarjen e ka konfirmuar zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi. Ai tha se i dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestrur arma. Ndërkohë mediat në Kosovë bëjnë me dije se autori i dyshuar i ngarjes është Edmond Lajqi.

Ky është rasti i dytë në pesë ditët e fundit, e vrasjes së grave në Kosovë. Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Mediat raportuan se vrasësi ishte ish-bashkëshorti i saj. Sipas statistikave, që nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 57 gra.