.

“Prindër të 3 fëmijëve”, vrasja e gruas në Pejë, Kryeprokurori: Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në banesë, nuk e dimë nëse ishin vetëm

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj ka folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Kosovë ku dyshohet se një burrë ka vrarë bashkëshorten e tij. Ai tha për Gazetën Express se lidhur me rastin është arrestuar një person e që dyshohet se është bashkëshorti i viktimës. Kurmehaj konfirmoi se rasti ka ndodhur në një banesë, teksa shtoi se çifti kishin tre fëmijë.

“Dyshimet e para janë që rasti ka ndodhur në një banesë në Pejë dhe se dorasi është bashkëshorti. Ai është arrestuar dhe është intervistuar në stacionin policor. Jemi duke i konfirmuar të gjitha hetimet dhe më vonë do të dalim me informacione zyrtare. Ajo çfarë dimë deri më tani është se çifti i kanë tre fëmijë, ndërsa se a kanë qenë vetëm në banesë apo si do të konfirmojmë më vonë pasi të jenë kryer të gjitha hetimet”, tha ai.

“E vrava gruan”, raportohet të ketë thënë ai para organeve të rendit. Mësohet se ky nuk ishte rasti i parë që Lajqi dhe Gjyljeta Ukelli kishin patur probleme. Ai në vitin 2021 ishte dënuar me 400 euro gjobë për dhunë në familje, sipas mediave në Kosovë. Nga ana tjetër mësohet se e ndjera ka punuar për dy dekada si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.