.

“E vrava gruan”/ I mori jetën bashkëshortes, autori me precedent të mëparshëm për dhunë në familje, e ndjera asistente stomatologe prej 2 dekadash

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Kosovën ku dyshohet se Edmond Lajqi ka vrarë gruan e tij, Gjyljeta Ukelli në Pejë. Lajqi është arrestuar dhe sipas raportimeve të para ishte vet ai që lajmëroi policinë se e ka kryer këtë krim. “E vrava gruan”, raportohet të ketë thënë ai para organeve të rendit. Mësohet se ky nuk ishte rasti i parë që Lajqi dhe Gjyljeta Ukelli kishin patur probleme. Ai në vitin 2021 ishte dënuar me 400 euro gjobë për dhunë në familje, sipas mediave në Kosovë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova ka konfirmuar se vdekja e gruas është konstatuar në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjës gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilet kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër mësohet se e ndjera ka punuar për dy dekada si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë, punëntores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Do të mbetet ne kujtimet e secilit  koleg për punën dhe  dhe urtësinë që e ka karakterizu përsonalitetin e Gjyljetes”, thuhet në reagim.