.

Zyrtarisht kandidat për eurodeputet, Beleri: Beteja ime nuk është personale, falenderoj Mitsotakis për mbështetjen

Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ka reaguar pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për eurodeputet nga partia greke “Demokracia e Re”.

Në deklaratën e tij, Beleri ka falenderuar kreun e kësaj partie, njëkohësisht kryeministrin grek Kyriakios Mitsotakis për mbështetjen ndaj tij edhe gjatë kohës që ai ndodhet në burg.

Më tej ai shprehet se beteja e tij nuk është personale, por se është betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë. Ai shton se është një betejë për pjesën, sipas tij më të përndjekur dhe të padrejtë të helenizmit, minoritetin grek në Shqipëri.

DEKLARATA E FREDI BELERIT:

Bashkëqytetarë, sot, kryeministri Kyriakos Mitsotakis më ofroi mundësinë për të konkurruar për votën e popullit grek në zgjedhjet evropiane të qershorit 2024. E falënderoj për këtë, por mbi të gjitha e falënderoj për mbështetjen e palëkundur që më ka ofruar gjatë gjithë këtyre muajve, ndërsa unë kam qenë i burgosur.

Beteja që po bëj nuk është personale. Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë, rregullat e së cilës duhet të respektohen nga të gjithë. Është një betejë për vlerat e mbrojtura nga Perëndimi dhe Evropa, të cilat duhet të respektohen nga ata që duan t’i bashkohen familjes më të madhe evropiane. Është një betejë për pjesën më të përndjekur dhe të padrejtë të helenizmit, minoritetin grek në Shqipëri.

Vëllezërit e mi, të cilët pas dekadash shtypjeje, duan dhe meritojnë të jetojnë të lirë dhe të qetë, pa frikë, në një vend që respekton të drejtat, nderin dhe pronën e tyre. I bëj thirrje çdo gruaje dhe burri grek të mbështesë votën e Demokracisë së Re, të mbështesë kryeministrin që po ndërton me vendosmëri dhe metodikë një Greqi të fortë dhe krenare, Kyriakos Mitsotakis