.

PS braktis mbledhjen pas pushimit/ “Ikën si djalli i temjanit”, Salianji: Do të kthehen me një këmbë, institucionet do të japin llogarinë një më një

Pas pushimit disa minutësh që kërkuan, anëtarët e Partisë Socialiste kanë braktisur mbledhjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Sipas tyre arsyeja që nuk u kthyen më në mbledhje ishte “miratimi i njëanshëm i listës së dëshmitarëve që do të thirren në kuadër të hetimeve të komisionit”.

Pas rinisjes së mbledhjes, Salianji tha se socialistët “ikën si djalli i temjanit” nga frika se inistitucionet do të japin llogari. Ai tha se kërkesat për informacion drejtuar institucioneve do të depozitohen ashtu sic janë, ndërsa me ironi u shpreh PS do të kthehet në komisionin “me një këmbë siç ka ndodhur herët e tjera”.

“Ikën si djalli temjanit nga frika se institucionet do të jepnin llogari. Llogarinë do ta japni një më një sepse ajo vendimmarrje është marrë nga ky komision me vendim të ndërmjetëm. Kërkesat apo ankesat apo qaravitjet që kemi qenë në tulat, kishim temperaturë, kishim sëmurë gjyshen, nuk e kishim mendjen, bëmë ironi nuk hyjnë në punë. Me këtë metodë kanë shkatërruar Shqipërinë. Kërkesat për informacion drejtuar institucioneve do të depozitohen ashtu sic janë. PS nëse do të bllokojë punën e komisionit hetimor, e dinim që këtë variant do bëjnë, kam përshtypjen që do kthehen me një këmbë, sic ka ndodhur edhe herët e tjera. Hyjnë me mendtë e tyre dhe dalin me mendtë e të tjerëve nga telefonatat. Nuk kërkojnë të diskutojnë në publik, por në vende të tjera. Është e dukshme se kush ka gjera për të fshehur.”, tha Salianji