.

PD premton votën pro amnistisë penale, por me disa kushte për PS-në (AMENDAMENTI)

Partia Demokratike, pas mbledhjes së grupit parlamentar, ka dalë me një amendament konkret për disa ndryshime në lidhje me projektligjin që pritet të miratohet nesër në Kuvend për dhënien e amnistisë penale.

Grupi Parlamentar i PD-së shpreh votën pro amnistisë penale, por me disa ndryshime në projektligj, ku e para fillon me ndryshimin e datës, ku falja të bëhet edhe për të dënuarit, nisjes së hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri më 31 Mars.

Po ashtu, PD ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë protestave. Një tjetër pikë është që PD i kërkon mazhorancës që të heqë dorë nga falja sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga SPAK apo Gjykata e Posaçme që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë, duke i përjashtuar nga amnistia.

Gjithashtu, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat.

Miratimi i aministisë penale kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash dhe më gjasë do të miratohet në seancën plenare të së enjtes në Kuvend.

TRE PIKAT KRYESORE TË PROPOZUARA NGA PD PËR DHËNIEN E AMNISTISË PENALE:

1. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.

2. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.

3. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.