.

Sekretariati i Etikës anulon votimin, Korreshi: Fitore e vogël! Mazhoranca të lërë qejfet dhe të vijë të votojë ligjet

Sekretariati i Etikës anulon votimin, Korreshi: Fitore e vogël!

saimir korreshi

TIRANË– Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka folur për mediat pasi Sekretariati i Etikës vendosi anulimin e votimeve në seancën plenare të 7 marsit.  Korreshi e ka cilësuar këtë një fitore të vogël ndërsa i bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të shkojnë në Kuvend dhe të votojnë ligjet.

“Sot është një fitore e vogël në dukje, por arroganca si janë bërë këto votime… Ne do të verifikojmë të gjitha votimet sepse të tilla vendime mund të jenë marrë edhe më parë. Deputetët e mazhorancës të lënë qejfet e të vijnë të votojnë ligjet që kanë propozuar”, tha ai.

Kërkesa për anulimin e votimit është bërë nga grupi parlamentar i PD për të shpallur të pavlefshëm votimet e kryera në atë seancë plenare. Grupi i PD pretendoi se të gjitha ligjet e votuara në seancën e 7 marsit duhet të shpalleshin të pavlefshme, për shkak se nuk ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm në Kuvend.

Në seancën e 7 marsit u votuan projektligjet: “Për investimet strategjike”, “Për burimet ujore”, ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës si dhe disa ndryshime në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”. Pritet që këto projektligje do të votohen sërish në një seancë tjetër plenare