Blerina Bala do të jetë kryetarja e komanduar e Himarës. Ky ka qenë vendimi që ka marrë Këshilli Bashkiak i Himarës.

Kështu pas tensioneve që u shoqërua mbledhja e Këshillit, për shkak se përfaqësues të Fredi Belerit kanë penguar punimet, duke kërkuar që të largohej nga salla Vangjel Tavo dhe Blendi Klosi, mbledhja u organizua në një ambient tjetër.

Nga dy nënkryetarët, pasi Fredi Beleri dhe Jorgo Goro ndodhen pas hekurave, u zgjodh që përkohësisht këtë detyrë ta mbante zonja Bala. “Së pari më lejoni të bej një falënderim të veçantë për besimin që më është dhënë sot. Në muajt në vijim fokusi i bashkisë Himarë do të jetë e përqendruar në punë me qëllim përmbushjen e objektivave dhe synimeve, sidomos referuar sezonit turistik. Jam e ndërgjegjshme që asnjë pune nuk bëhet vetëm, ndaj mendoj se pas 10 muajsh të vështirë, Himara meriton që midis aktorësh vertikal dhe horizontal, të ketë bashkëpunim sa me të ngushte e mbështetje sa më të madhe. Ju faleminderit”, tha Bala pas zgjedhjes në këtë detyrë.

Ndërkohë, Bala ka marrë 16 vota pro, 9 nga PS, PSD 1, Mega 1, Partia e Lirisë 1 votë, PD zyrtare 1, PD e Rithemelimit 1 dhe 1 LZHK. Sakaq, vetëm 4 anëtarë të Këshillit Bashkiak nuk votuan.