.

Atentati ndaj avokatit në Memaliaj/ Reagon policia: Autori qëlloi në ajër për t’i kanosur, sekuestrohet arma e përdorur

Atentat në Memaliaj/ Qëllohet me breshëri plumbash avokati

Arma e sekuestruar

GJIROKASTËR- Mbrëmjen e djeshme u raportua se avokati Andrea Zotaj dhe nipi i tij u kërcënuan në Memaliaj. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe policia ku ka dhënë detaje rreth ngjarjes. Sipas njoftimit të policisë mbrëmë rreth orës 19:30 në fshatin Qesarat është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Në lidhje me këtë ngjarje policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar një 41-vjeçar me inicialet Fatos Lamaj. Mësohet se ai pasi ka kanosur avokatin ka ka fshehur armën e zjarrit në një zonë të pyllëzuar në fshatin Qesarat. Më tej në njoftim policia bën me dije se arma është gjetur dhe është sekuestruar për provë materiale.

Njoftimi i plotë:

Menjëherë pas njoftimit të marrë më datë 28.03.2024, rreth orës 19:30, se në fshatin Qesarat, ishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit/ëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin F. L., 41 vjeç, banues në Memaliaj.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri (pushkë), në ajër, me qëllim kanosjen e shtetasve A. Z., 54 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të dy banues më fshatin Anë Vjosë. Më pas, ai ka fshehur armën e zjarrit, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Qesarat. Arma e zjarrit u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me disa fishekë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.