.

Nga krijimi i profileve false në rrjete sociale tek dhuna ndaj vëllait, arrestohet një person, procedohen tre dhe shpallet në kërkim një tjetër në Elbasan

Nga krijimi i profileve false në rrjete sociale tek dhuna ndaj

foto ilustruese

ELBASAN- Arrestohet një person, procedohen në gjendje të lirë tre dhe shpallet në kërkim një tjetër për vepra penale të ndryshme në Elbasan. Bëhet me dije se një 58-vjeçar është arrestuar pasi ka drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe si pasojë ka përplasur një mjet të parkuar duke shkaktuar dëme materiale.

Tre persona janë proceduar penalisht për vepra penale si kanosja, krijimi i profilit fals në rrjete sociale si dhe ndërtimi pa leje në banesë. Mësohet se një 33-vjeçar është shpallur në kërkim pasi ka ushtruar dhunë ndaj vëllait. Për veprime të mëtejshme do të merret Prokuroria e Elbasanit.

Njoftimi i Policisë:

DVP Elbasan/Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 1 tjetri, për vepra penale të ndryshme.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin J. D., 58 vjeç, banues në Belsh, pasi ditën e djeshme, në Belsh, me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet të parkuar, duke shkaktuar dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-Y. V., 38 vjeç, pasi për motive të dobëta, ka kanosur në rrjete sociale, bashkëshorten e tij dhe vëllanë e saj;

-I. H., 64 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka krijuar profil fals në një rrjet social, me të dhënat e një 59-vjeçari. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. P., 60 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje, në banesë.

Po nga këta specialistë u shpall në kërkim shtetasi L. B., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.