.

Akuzohet për shpërdorim detyre/ GJKKO urdhër SPAK: Hetoni ish-kryebashkiakun e Kavajës

Akuzohet për shpërdorim detyre/ GJKKO urdhër SPAK: Hetoni

Elvis Roshi

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë ditën e sotme për të marrë nën hetm ish-kryebashkiakun e Kavajës,  Elvis Roshi. Mësohet se vendimi ka ardhur, pas denoncimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim detyre ndaj Roshit. Ish-kryebashkiaku socialist akuzohet se ka fshehur rekordet kriminale që ka pasur jashtë vendit.

Fillimisht kërkesa ishte bërë në Prokurorinë e Durrësit për hetim, por kjo e fundit e hodhi poshtë çështjen, duke mos hetuar. GJKKO ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Durrësit për pushimin e procedimit penal ndaj ish-kryebashkiakut socialist.

Njoftimi i GJKKO-së:

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”,  me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:

Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.
Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

U shpall sot në Tiranë, më datë 26.03.2024. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar