.

Samir Mane: Nuk duhet t’i trembemi revolucionit që po sjell inteligjenca artificiale

Të gjithë flasin për inteligjencën artificiale. A do të shkurtohen vendet e punës? A do të zëvendësojë ajo proceset që tashmë kryhen nga punonjësit apo do të ndihmojë për t’i përmirësuar ato.

Mendimet janë të ndryshme. Ka nga ata si Yuval Harari, i cili mendon se inteligjenca artificiale po përgatitet të tejkalojë inteligjencën njerëzore, por të tjerë, kryesisht nga bota e biznesit mendojnë se ajo do të ndihmojë në lëhtësimin e shumë proceseve.

Një prej sipërmarrësve më të suksesshëm të Ballkanit Perëndimor, Samir Mane, President i grupit BALFIN, grup me mbi 50 kompani që ka mbi 5 mijë të punësuar thotë se nuk duhet të kemi frikë në përdorimin e inteligjencës artificiale.

Në një intervistë për mediat, Mane thotë se “ Revolucioni digjital po ja lë vendin revolucionit që po sjell inteligjenca artificiale.

Unë jam mbështetës i përdorimit të inteligjencës artificiale pasi vlerësoj se do të na ndihmojë t’i kemi disa gjëra më të lehta. E marr me mend që disa profesione mund të rrezikohen por po aq e vërtetë është që profesione të reja po krijohen apo po marrin më shumë rëndësi. Evolucioni i shoqërisë njerëzore është i vazhdueshëm dhe ne duhet të shikojmë të marrim më të mirën. Ashtu si edhe më parë, njerëzimi ka ditur të përshtatet dhe të përdorë gjithçka që i ofrohet në të mirën e tij.

Samir Mane thekson se, përdorimi i zgjuar dhe i duhur i inteligjencës artificiale do të përcaktojë edhe fatet e shumë bizneseve në të ardhmen. Prandaj sa më shpejt të mësohemi me idenë e ndihmës që marrim nga një dorë digjitale, sa më shpejt të mësojmë si ta përdorim kapacitetin e inteligjencës artificiale aq më shumë shanse do kemi të përparojmë.

A ka Grupi BLFIN një fushë të re ku po investon? Mane thote se ”Grupi është përherë në kërkim të ideve të reja për të investuar dhe kurajo nuk na ka munguar. Së fundmi kemi investuar në një fushë ku mendojmë se jemi ndër të parët edhe në rajon. Bëhet fjalë për një investim në teknologjinë mjekësore. Implantet rigjeneruese që po zhvillon Clexbio, start-up ku ne kemi investuar, do të jenë një revolucion në bio-inxhinieri. Jam shumë optimist dhe madje entuziast që po eksplorojmë në një fushë të re që ka në fokus një çështje thelbësore; shëndetin.
I pyetur a i përdor aplikacionet e reja apo rrjetet sociale, Presedentii Grupit BALFIN shprehet se është përherë i informuar mbi të rejat në fushën e teknologjisë dhe inovacioneve. “Përsa i përket aplikacioneve, përdor aplikacionet më të domosdoshmet për punën e përditshme. Ndërsa përsa i përket rrjeteve sociale jam i pranishëm në Instagram, Linkedin dhe Facebook ku më së shumti ndaj aspekte nga takime, vizita apo aktivitete të rëndësishme për mua.

Pavarësisht se është përdorues e konsumator i rrjeteve sociale, Samir Mane thotë se preferon leximin e librave.
“Lexoj kryesisht libra biznesi, menaxhimi, libra mbi të rejat në fushën financiare, biografi të njerëzve të suksesshëm. Madje nxjerr shënime prej tyre gjithçka që më vlen për biznesin. Herë pas here librat që më pëlqejnë i hedh në rrjetet e mia sociale duke i rekomanduar. Do të rekomandoja “Winning” nga Jack Welch, ish CEO i General Electric, thotë ai gjatë intervistës. Është një guidë shumë e mirë mbi strategjitë e biznesit, kulturën e kompanive dhe vendimet që e bëjnë një kompani të suksesshme.”