Juristi Çlirim Gjata, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të bashkisë së Himarës, Jorgo Goros.

Gjata u shpreh se arrestimi i Goros ishte “politik dhe hipokrit” për të mbuluar kryeministrin Rama dhe ish-ministren e Jashtme Olta Xhaçka së bashku me bashkëshortin e saj Artan Gaçi.

Sipas tij arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës është i ngjashëm me atë të Arben Ahmetajt dhe socialistëve të tjerë që janë hequr nga qeveria.

Ai theksoi se Goro ka kapërcyer procedurat, gjë që nuk bie nën sfondin e shpërdorimit të detyrës, por tha se veprimtaria e tij përfshin korrupsion dhe urdhra politikë.

“Arrestimi i tij ishte politik dhe hipokrit për të mbuluar Ramën dhe deputeten Xhaçka e bashkëshortin e saj investitor strategjik. Kjo është tipike siç vepronte Enver Hoxha, i cili pushkatonte shokët e vetë kur ndodhnin gjëra që nuk i përballonte dot, këtë po bën Edi Rama meqenëse korrupsioni e pabarazia po shkojnë keq e më keq në këtë vend, aq sa kemi dhe një shpullë surratit për kryeministrin kur BE çeli negociatat me Bosnjën, ndërsa Shqipërinë as që e përmendi.

Arrestimi është tipik si me Arben Ahmetajn apo të tjerë që janë hequr nga qeverisja nga Rama. Ai ka kapërcyer procedurat, ta bësh këtë me dijeni nuk është thjesht shpërdorim detyre. Është si një falsifikim, që nuk bëhet pa arsye. Aty ka korrupsion dhe urdhër politik. Nuk bëhet dot pa urdhër politik, s’ka kryeplak që zbaton urdhrin politik pa marrë paratë. Kjo është hipokrizia e SPAK këtu, që të gjithë i çon për shpërdorim detyre sa për të larë gojën”, u shpreh ai.