Më shumë se 140 njerëz mbetën të plagosur gjithashtu kur persona të armatosur hynë në sallën e koncerteve, duke qëlluar pa dallim përpara se t’i vinin flakën.
Grupi i Shtetit Islamik (ISIS) ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por Rusia nuk ka komentuar lidhur me këtë. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se të katër personat e armatosur që kryen sulmin janë arrestuar. Në një fjalim televiziv të shtunën, Putin dënoi masakrën – më vdekjeprurëse në Rusi për gati 20 vjet – si një “akt barbar terrorist” dhe përsëriti sugjerimet e mëparshme nga shërbimet ruse të sigurisë se sulmuesit ishin përpjekur të arratiseshin në Ukrainë. Kievi hodhi poshtë pretendimin se ishte në një farë mënyre i përfshirë në sulm duke e cilësuar si “absurd”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se kërkon të “fajësojë” Ukrainën për sulmin. “Ky Putin i pavlerë, në vend që të merrej me qytetarët e tij të Rusisë, duke iu drejtuar atyre, heshti për një ditë – duke menduar se si të përfshinte Ukrainën”, tha ai në fjalimin e tij të natës. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së tha se e paralajmëroi Rusinë për një sulm të mundshëm ndaj “mbledhjeve të mëdha”, përfshirë koncerte, në Moskë në fillim të këtij muaji. Kremlini në atë kohë e hodhi poshtë atë si “propagandë” dhe një përpjekje të Uashingtonit për të ndërhyrë në zgjedhjet e fundit ruse. Të shtunën, Shtëpia e Bardhë tha se dënoi sulmin “të urryer” dhe e përshkroi IS si “një armik të përbashkët terrorist që duhet mposhtur kudo”.