.

Kush fiton dhe kush humb nga marrëveshja e re mes Greqisë dhe Turqisë?

Kush fiton dhe kush humb nga marrëveshja e re mes Greqisë dhe

Kyriakos Mitsotakis dhe Rexhep Taip Erdogan

Nga Francesco De Palo “Formiche”

Kyriakos Mitsotakis dhe Recep Tayyip Erdogan nënshkruan Deklaratën e Athinës për Miqësinë dhe Marrëdhëniet e Mira fqinjësore midis Greqisë dhe Turqisë. Një marrëveshje vërtet historike, sepse vjen pas vite përplasjesh, provokimesh dhe tentativash të shumta për bindje morale nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Nuk ka dyshim se ajo nuk do të sjellë zgjidhjen e plotë të konflikteve më thelbësore, por do t’i ngrijë ato, të paktën në këtë fazë në të cilën është e nevojshme që në Mesdheun Lindor të zbuten krizat e reja të mundshme.

Si Brukseli po ashtu edhe Uashingtoni, duke qenë në prag të një viti zgjedhor, nuk kanë luksin të përballen me një front tjetër krize që del jashtë kontrollit përveç atyre ekzistuese në Ukrainë dhe Gaza, si për shkak të interesave strategjike të NATO-s, po ashtu edhe për ekuilibrin euro-mesdhetar, që tashmë është duke u përballur me trazirat epokale.

Marrëveshja

Po çfarë thuhet në deklaratën e miqësisë mes Athinës dhe Ankarasë? Para së gjithash, parashikohet mbajtja gjithmonë hapur e një kanali komunikimi mes dy udhëheqësve, sipas modelit të “telefonit të kuq”, mes presidentit amerikan Ronald Reagan dhe liderit sovjetik Mikhal Gorbachev në fundin e Luftës së Ftohtë.

Dhe kjo nuk është aspak një paralele e rrezikshme, duke pasur parasysh tensionet e viteve të shkuara, kur një përplasje ushtarake midis të dyja vendeve në Egje dukej vetëm një hap larg.

Objektivi i kësaj linje komunikimi është të nxjerrë në pah dëshirën e përbashkët për të shmangur situatat e konfliktit dhe të përshkallëzimin e mundshëm.

Së dyti, Deklarata e Miqësisë, përcakton parimet dhe fazat themelore të dialogut greko-turk mbi bazën e 3 boshteve mbi të cilat është rënë dakord gjatë takimit dypalësh korrikun e kaluar në Vilnius të Lituanisë: dialogu politik (për çështje me interes të ndërsjellë, dhe që përfshin kontakte eksploruese), një axhendë dypalëshe pozitive (e cila do të pasurohet vazhdimisht), dhe masa për ndërtimin e besimit (përfshirë ato që synojnë reduktimin e “burimeve të pajustifikuara të tensionit, si dhe rreziqet që rrjedhin prej tyre”).

Paralelisht, presidenti turk Erdogan është i përkushtuar për arritjen e objektivave të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit miqësor ndërmjet shteteve. Në thelb, që të dyja qeveritë kanë hedhur në letër dëshirën e tyre për të anestetizuar konfliktet e mundshme dhe për të gjetur gjithmonë një rrugëdalje diplomatike nga pengesat që mund të lindin. Dhe këto të fundit nuk janë të pakta.

Sfidat më delikate

Në këtë rast mjafton të mendoni për konfliktin e vjetër të Qipros, një pjesë e të cilit vazhdon të jetë i pushtuar nga 50 mijë ushtarë turq. Gjysma e territorit i përket një shteti anëtar të BE-së ndërsa gjysma tjetër një republike të vetëshpallur dhe që ndërkombëtarisht njihet vetëm nga Ankaraja.

Për më tepër në këtë fazë të luftës, ishulli që ishte vendlindja e poeteshës së famshme të lashtësisë Safo, është shndërruar një aeroplanmbajtëse e vërtetë natyrore për avionët luftarakë dhe vëzhgues të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, që shkojnë drejt Gazës.

Për më tepër, që në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës, është ripërtërirë diskutimi për anëtarësimin e Qipros greke në NATO, si një faktor stabiliteti për një pjesë të vogël të Mesdheut, ku interesat gjeopolitike përkojnë me zbulimet e reja të gazit në ujërat qipriote dhe ato izraelite.

Libia dhe Zona Ekskluzive Ekonomike që e lidh atë me Turqinë, është një tjetër çështje e nxehtë, krahas çështjes së pazgjidhur të gazsjellësit “Eastmed”, mbi të cilin kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, kishte kërkuar 2 muaj më parë, dhe para sulmit të çmendur terrorist të  Hamasit një vendim përfundimtar nga palët e përfshira.

Një qasje pragmatike

Kryefjala tani për tani është pragmatizmi. Duke pasur parasysh atë që po ndodh “pranë” dy vendeve, do të kishte qenë jashtëzakonisht e rrezikshme që të vazhdohej me një përplasje të vazhdueshme dhe me tone shumë agresive praktikisht për të gjitha çështjet ku ka mosmarrëveshje, dhe pa e kuptuar se momenti aktual gjeopolitik kërkon përgjegjësi, ndërgjegjësim mbi skenarët e rrezikshëm që mund të shfaqen dhe rrjedhimisht bërjen e një hapi prapa nga të dyja palët.