.

Rezultoi pozitiv për doping, reagon Godelli: Do kërkoj testin B, SARM nuk ka lidhje me peshëngritjen

U hap shpejt lajmi se peshëngritësi Daniel Godelli ka dalë pozitiv në testin e tij për doping. në njoftimin e fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Testimeve (ITA), Daniel Godelli ka rezultuar pozitiv ndaj substancave të ndaluara në testimin e bërë më 19 prill 2023, periudhë kjo kur 31-vjeçari ishte pjesë e kombëtares në Kampionatin Europian që asokohe po mbahej në Jerevan të Armenisë.

Pas kësaj, ka reaguar vetë sportisti kuqezi, i cili këmbëngul se është i pafajshëm dhe se do të kërkojë kryerjen e testit B, si dhe do të faktojë se nuk ka konsumuar doping dhe se substanca SARM nuk ka asnjë lidhje me peshëngritjen. Gjithashtu, Godelli shprehet se në Kampionatin Europian ka garuar vetëm për pjesëmarrje.

“Për t’i paraprirë portaleve dhe televizioneve dhe për të qenë transparent dhe i sinqertë me ju, deklaroj se jam testuar pozitiv në përdorimin e një substance të ndaluar. Substancë, e cila nuk ka lidhje me sportin që unë ushtroj dhe për këtë arsye unë do të kërkoj analizimin e testit B, ku do të faktoj dhe paraqes çdo provë që unë zotëroj, për të provuar pafajësinë time.

Kjo, pasi flitet për një garë, ku unë isha i dëmtuar dhe rezultatet e mia ishin thjesht për pjesëmarrje dhe për të shënuar emrin për pikë olimpike dhe jo për të garuar 100%. Kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe bashkërisht të presim për rezultatet që do të dalin nga testimi i analizës B. Faleminderit!”, shkruan sportisti në “Facebook”.

Substanca SARM, e gjetur në trupin e peshëngritësit nga Peqini, është një medikament që përdoret në “bodybuilding” si alternativë të steroideve anabolik. Ajo është i ndaluar dhe konsiderohet si doping që nga viti 2008 nga Agjencia Botërore e Antidoping (ËADA), ndërkohë që rasti i parë i kapur me këtë lloj substance ishte në vitin 2013, çiklisti rus Nikita Novikov.

Ky është rasti i dytë kur Godelli rezulton pozitiv, pas atij të 2014-ës kur u shpall kampion bote bashkë me Romela Begajn dhe më pas të dy rezultuan pozitivë