.

“Kurti ka sfiduar sistemin Rama-Thaçi-Vuçiç- ndërkombëtarë”, Lubonja: Aleatët po sakrifikojnë shqiptarët për të tërhequr pas vetes Serbinë

Në emisionin “Open” në News24 po diskutohet në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri së fundmi dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij Albin Kurti pas tensioneve në veri të Kosovës.

Në një lidhje skype, analisti Fatos Lubonja u shpreh se Ram duhet të kishte kryer një koordinim dhe të kishte biseduar gjithçka paraprakisht me Kurtin para se të dorëzonte draftin për dorëzimin e Asociacionit, por se ai ka bërë të kundërtën dhe ka sulmuar kryeministrin e Kosovës më shumë se ndërkombëtarët.

Ai u shpreh se nga ana e tyre ndërkombëtarët kanë ndryshuar qëndrim sa i përket Serbisë, lëvizje kjo që lidhet me interesat e tyre dhe se kanë zgjedhur të sakrifikojnë shqiptarët në mënyrë që të tërheqin pas vetes Beogradin.

Lubonja shtoi se Kurti ka sfiduar sistemin në rajon dhe se ndryshe nga sa mendohet kryeministri Rama nuk është vasal i Vuçiçit, por se i shërben pushtetit të tij.

“Ajo që bëjmë shpesh në debate ku janë në lojë edhe ndërkombëtarët, është që merremi me tanët dhe i kritikojmë, por asnjëherë nuk vëmë në diskutim politikat e partnerëve.
Ata janë gjithmonë e drejta që ne duhet t’i adaptohemi.
Ajo që duket qartë në krizën e fundit është fakti se partnerët, kanë një ndryshim të dukshëm ndaj Serbisë për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve por me interesat e tyre, luftën në Ukrainë dhe destabilizimin që mund të krijohet. Pra me Serbinë që luan me dy porta e që duhet tërhequr nga ana tjetër.
Kanë zgjedhur mënyrë të lehtë të sakrifikojnë shqiptarët që i kanë në xhep.