.

Berluskoni e shiti ekipin e Monzës te manjati grek para se të vdiste

Vdekja e Silvio Berluskonit ishte një lajm që preku jo pak në gjithë botën. I njohur si politikan, por më tepër si president i ekipit të futbollit të Milan, Berluskoni la gjurmë edhe në fushën e blertë. Ai ftoi një seri kupash me kuq e zinjtë, deri sa e shiti ekipin e tij të zemrës te disa investitor kinez.

Berluskoni nuk u largua nga bota e futbollit dhe nisi të investojë e t’i dedikohet ekipit të Monzës. Një ekip që e mori nga Seria C në vitin 2018 dhe e ngjiti atë në Seria A. Vëmendja në kampionatin italian ishte pikërisht te ky ekip për shkak të transformimit që Berluskoni bëri, si një “i çmendur” pas futbollit.

Vdekja e tij, përtej ndarjes së pasurisë, ngriti pikëpyetje se cili do të jetë fati i ekipit të Monzës. Mirëpo tashmë letrat janë hapur dhe një lajm po qarkullon në mediat italiane. Njoftohet se Berluskoni kishte nisur disa muaj me parë procedurat e shitjes së ekipit te një manjat grek, i cili zotëron edhe ekipin e Olimpiakos dhe i Nottingham Forestit në Angli.

Evangelos Marinakis është një sipërmarrës grek, pronar anijesh dhe botues. Ai zotëron një nga flotat më të mëdha tregtare në botë, të trashëguar nga babai i tij, si dhe TV, radio dhe gazeta. Biznesmeni 55-vjeçar është i përfshirë edhe në politikë, si anëtar i këshillit të qytetit të Pireut.

Firma për blerjen e ekipit të Monzës është hedhur disa muaj pasi gjendja shëndetësore e Berluskonit të përkeqësohej dhe tashmë pritet vetëm finalizimi. Monza u rendit në vendin e 11 në Seria A, nga 20 skuadra garuese.