Sipas tij kjo fushatë është politike, sepse kryetarët e partive e kanë marrë atë në dorë duke dalë vetë para mbështetësve.

Ai shtoi se një rezultat i dobët për dyshen Berisha-Meta është “një shenjë shumë e keqe për të ardhmen e tyre politike”, ndërsa nga ana tjetër Rama kërkon të tregojë që pushteti i tij nuk është i konsumuar.

Sakaq, deputeti demokrat Agron Shehaj deklaroi se partia në pushtet ka interes ta kthejë fushatën në politike, ndërsa tha se kryeminsitri Rama gënjen kur thotë se fushata e partisë së tij do jetë me kosto të ulët.

Sipas Shehajt pushteti ka mundësi pa limit për fushatën dhe se kostoja e vërtetë e garës elektorale qëndron te pagesat për mediat dhe analistët.

Pjesë nga biseda:

Hila: Nuk mund të thuash që është fushatë e lirë. Është fushatë politike sepse vetë kryetarët e kanë marrë në dorë dhe po dalin ata vetë. Të dyja palët po investojnë shumë në këtë fushatë. Meta dhe Berisha e dinë se një rezultat i dobët është një shenjë shumë e keqe për të ardhmen e tyre politike. Rama nuk do të tregojë që forca që drejton është konsumuar gjatë 10 viteve të fundit.

Shehaj: Partia në pushtet ka interes ta kthejë në fushatë politike. Këlliçi ka në interes të flasë për problemet e qyetarëve. Kjo është fushata që po bën ai në Tiranë, është përqendruar në problemet e qytetarëve dhe kryesorja është rritja e kostos së jetesës. Rama gënjen kur thotë që do bëjë fushatë me kosto të ulët, pasi nuk ka fushata të tilla. Pushteti ka mundësi pa limit për fushatën, kostoja e vërtetë janë shpenzimet në raport me mediat apo analistë që përcjellin mesazhin politik.