.

“Luftë” për numri 2 në PS? Veliaj flet për raportin me kryeministrin, zbulon qëllimin e fushatës: Duam të konsolidojmë mandatin e katërt për Ramën

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në studion e “Open” në News24.

Ndër të tjera Veliaj u ndal tek raporti i tij me kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar atë të shkëlqyer, ndërsa nuk i kurseu ironitë për opozitën, kur tha se nëse raporti i tyre është kthyer në shqetësim për ta, “të tilla halle paçim”.

Sakaq, Veliaj u shpreh se në komunikimet e brendshme që ka pasur me Edi Ramën për këtë fushatë, u shpreh se qëllimi është konsolidimi i raportit me njerëzit dhe përgatitjen e terrenit për fitimin e mandatit të katërt nga kreu i qeverisë.

I pyetur nëse ekziston një luftë” për t’u bërë numri 2 në PS, Veliaj e mohoi kategorikisht, duke thënë se ai është kryetar bashkie dhe këtë “punë e qan Edi Rama”.

“Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera dhe po të kishte opozita të njëjtën marrëdhënie, që të kenë mundësi dy njerëz me sportivitet të mbajnë batutën… të tilla halle paçim unë dhe Edi Rama, dhe nëse ky është bërë problem, do të thotë që opozita është aq dramë sa po merret me këtë.

Ne e kemi nivelin e harmonisë në familjen socialiste, në një nivel që se ka pasur kurrë. Ka disa kryetar bashkie që e marrin dhe thonë që kemi luftë e qeverinë, por bashkia nuk është levë për t’i rënë kryeministrit. Bashkëpunimi me bashkitë dhe qeverinë, është shumë i domosdoshëm.

Unë kam 20 vjet që komunikoj përditë me Ramën, dhe kjo është gjuha që përdorin dy njerëz që kanë afeksion dhe e marrin me sportivitet sfidën dhe fushatën.

Unë nuk jam numër 2 i PS, unë jam kryetari i bashkisë së Tiranë. Këto të tjerat i qan Edi Rama dhe fakti që ka fituar këto 8 vite tregon se di ta bëjë shumë mirë. Nuk ka një betejë për numrin dy në PS.

Një nga diskutimet që kemi me Ramën për këtë fushatë është që duhet të jetë për të konsoliduar raportin që ne kemi me njerëzit dhe fitoren e mandatit të katërt të tij”, tha Veliaj.