.

Krimi i rëndë në Tiranë/ Gruaja u vra nga kunati që i shërbente prej vitesh, kur u qëllua ishte në shtrat me fëmijën 2 vjeç

Migena Sinani, nënë e dy fëmijëve nuk jeton më. Ajo u vra nga kunati i saj Roland Sinani teksa ishte në gjumë.

Një ngjarje e rëndë që ka tronditur të madh e të vogël pa gjetur pse-të e shumta që heshtin pas këtij krimi makabër.

Akoma më të rëndë e bën fakti se 37-vjeçarja ishte në shtrat me fëmijën e vogël 2 vjeç, kur u qëllua nga kunati i saj në orën 4 të mëngjesit, për të cilin thuhet se vuante nga depresioni dhe ishte i pamartuar. Pasi vrau kunatën 43-vjeçari doli në oborr dhe vrau veten.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se prindërit e autorit, të cilët kanë qenë në banesë kur ndodhi ngjarja janë shoqëruar në polici për të dëshmuar. Ata janë shfaqur të tronditur dhe në gjendje të rëndë psikologjike.

Mësohet se autori i dyshuar, 43-vjeçari Roland Sinani qëndronte në banesën e prindërve ku jetonte dhe vëllai, teksa ishte pikërisht kunata që vrau ajo që i shërbente, i lante rrobat e i gatuante.

Bashkëshorti i 37-vjeçares punonte turn i tretë si taksist, ndërsa gjatë ditës punonte në një servis automjetesh
Sipas fqinjëve familja Sinani ishte e tërhequr dhe nuk kishin shumë komunikim. Për bashkëshortin e 37-vjeçares ata kanë thënë se shikonte punën e tij dhe ishte njeri i qetë. Dëshmia e burrit të viktimës gjithashtu po merret nga policia.

Pas vrasjes dhe vetëvrasjes së sotme, numërohen 15 viktima prej fillimit të vitit.