.

“Më jep paratë ose ju nxora gjithë ‘pisllëqet’”, kërcënimi që Negreira i bënte presidentit të Barcelonës

Së fundmi te Barcelona është zbuluar një skandal i madh rreth ryshfeteve për arbitrat spanjollë. Gazeta “El Mundo Deportivo” ka publikuar të dhëna të reja rreth pagesave të Barcelonës, kundrejt Jose Maria Enriquez Negreira, në atë kohë në pozicionin e nënkryetarit të arbitrave të La Ligas.

Mësohet se në një pikë të caktuar të marrëdhënies mes tij dhe Bartomeut, Negreira e ka kërcënuar ish-presidentin e Barcelonës, që të bëjë pagesat e premtuara, sepse në të kundërt do të zbulojë të gjitha shkeljet e bëra nga katalanasit dhe prapaskenat mbi marrëdhënien mes tyre.

Gjithashtu, shuma e konsulencës, e paguar nga Barcelona për kompaninë e Negreiras do të shkonte në një total prej plot 6,659,488 eurosh nga 2008 deri në 2018, nën presidencën e Gaspart, Laportas, Rosell dhe Bartomeut.

Vetëm gjatë periudhës 2016-2018 klubi katalanas i ka paguar 1.4 milionë euro një kompanie private, që i atribuohej pikërisht nënkryetarit të shoqatës së arbitrave spanjollë. Gjithsesi, presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, siguroi se në nivel sportiv nuk mund të ketë sanksione disiplinore, sepse kanë kaluar 5 vjet.