.

Përdhunoi të renë në banjot e lokalit të natës, Dani Alves pritet të marrë një dënim të rëndë

Dani Alvesh, një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë të historisë dhe futbollisti me më shumë trofe ndonjëherë, që nga 20 janari ndodhet në burg dhe gjasat janë që ai të vazhdojë të jetë brenda qelisë për një kohë shumë më të gjatë.

Më 30 dhjetor 2022 dyshohet se Dani Alvesh ka përdhunuar një vajzë 23-vjeçare në një klub nate në Barcelonë. Ditën e sotme gjykata do të ketë prononcimin e radhës mbi ngjarjen. Avokatët kërkojnë lirimin e Alves, ndërsa prokuroria ka përkuar masën e arrestit me burg.

Ish-mbrojtësi i Barcelonës ka pranuar së fundmi se ka kryer marrëdhënie seksuale, pasi e kishte mohuar këtë për një kohë të gjatë. Justifikimi i kësaj fshehjeje të tij ishte se kërkonte të shpëtonte martesën.

Ai fillimisht pranoi se e njihte 23-vjeçaren, më pas deklaroi se e kishte pëlqyer të renë në klubin e natës, përpara se të ndryshonte të gjithë versionin e tij të ngjarjes dhe të pranonte se kishte kryer marrëdhënie me të renë, por me dëshirën e saj.

Ndërkohë, “El Periodico” ka publikuar disa detaje nga përdhunimi i të resë nga Dani Alvesh. Raportohet se ish-futbollisti ka qëndruar 16 minuta në banjën e klubit të natës me të renë, teksa pas daljes ai është sjellë si të mos kishte ndodhur asgjë dhe si të mos e njihte fare të renë.

Nga ana tjetër, 23-vjeçarja ka dalë duke qarë nga banjot e klubit të natës dhe pranë saj janë afruar miqtë dhe stafi i lokalit. Pas gjithë këtyre ngjarjeve pritet që Alvesh të ngelet në burg dhe dënimi i tij pritet të variojë nga 4 deri në 12 vite burg.