.

Pas mbi 5 orësh seancë/ Altin Dumani, i preferuari i SHBA, zgjidhet kreu i ri i SPAK

Altin Dumani, i preferuari i SHBA, është zgjedhur kreu i ri SPAK, me 5 vota nga anëtarët e KLP. Ndërkohë prokurori Edvin Kondili ka marrë 4 vota, ndërsa Adnan Xholi 1 votë.

Seanca e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e mbledhur sot për zgjedhjen e ri të kreut të SPAK, zgjati më shumë se 5 orë. Megjithëse ishte parashikuar që prezantimi i secilit prej kandidatëve të zgjaste rreth 30 minuta, ky afat u tejkalua, ndërkohë që prej orës 14:00, mbledhja u ndoq nga afër edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Diplomatja e SHBA-ve është pritur me shumë interes nga të pranishmit, ndërkohë që është ulur pranë përfaqësuesve ndërkombëtare.

Dy ditë para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, lëshoi një mesazh në drejtim të trupës së KLP-së ku tha se procesi i sotëm nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të ndikuar në hetime.

“Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë dhe favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Nga ana tjetër kryeministri Rama u përgjigj duke thënë se kreu ri i SPAK nuk zgjidhet nga ambasada amerikane.

“Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja, vulorja, fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e performanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruajti Rama në llogarinë e tij në rrjetet sociale.