.

Investigimi/ Si keqtrajtohen refugjatët në Bullgari, Kroaci dhe Rumani

Një hulumtim i ri gazetaresk ka nxjerrë në dritë një sërë regjistrimesh dhe provash për keqtrajtimin e migrantëve në Bullgari, Hungari dhe Kroaci. Kjo po ndodh para syve të Frontexit. Në videon, që kanë shikuar edhe gazetarët e revistës Monitor, shihen persona të mbyllur në një kasolle të rrënuar, të ulur në dysheme të rrethuar nga plehra. Rreth tyre ka mure të zhveshura dhe hekura metalike, çatia po pikon. Nuk ka mobilje apo tualet.

Kasollja me hekura ndodhet në oborrin e stacionit të policisë kufitare bullgare. Njerëzit që janë të burgosur këtu janë refugjatë nga Siria dhe Afganistani, të cilët kërkojnë mbrojtje në BE.

Raporti i revistës televizive Monitor, i prodhuar nga televizioni publik gjerman ARD, është pjesë e bashkëpunimit me disa media ndërkombëtare. Siç raportojnë ata, kjo është hera e parë që një lloj qendre ndalimi emigrantësh filmohet nga brenda, ku njerëzit mbahen dhe keqtrajtohen përpara se policia t’i dëbojë ilegalisht nga BE.

Regjistrimet nga Bullgaria janë bërë në një periudhë prej pesë ditësh. Dyert e barakave ruheshin vazhdimisht, ndërsa gazetarët panë se si njerëzit më vonë ngarkoheshin në makina dhe largoheshin.

Disa refugjatë deklarojnë se janë burgosur dhe për disa ditë janë mbajtur pa ujë dhe ushqim. Pas kësaj, policia bullgare i ktheu në kufi dhe i detyroi të kthehen në Turqi – pa pasur mundësi të aplikojnë për azil në BE.