.

Momenti kur vullkani Fuego shpërtheu në Guatemalë

Vullkani Fuego i Guatemalës ka hyrë dje në një fazë të re shpërthimi, i shoqëruar me shpërthime të vogla, të moderuara dhe të fuqishme, rrjedhje llave dhe derdhje hiri, njoftuan autoritetet, të cilët deri më tani nuk kanë urdhëruar evakuimin e popullsisë.

Shpërthimi i vitit 2018 i këtij vullkani, i cili është një nga më aktivët në Amerikën Qendrore, shkaktoi vdekjen e 215 personave.

“Vullkani Fuego tregoi një rritje të aktivitetit të tij, i cili gjatë minutave të fundit hyri në një fazë shpërthyese”, tha në një deklaratë Instituti Kombëtar i Vullkanologjisë (Insivumeh) i Guatemalës.

Që nga momenti kur ka hyrë në këtë fazë, vullkani Fuego, i cili arrin 3763 metra lartësi dhe ndodhet 35 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Guatemalës, ka shkaktuar “shpërthime të vazhdueshme të vogla, të moderuara dhe të forta”, shton Instituti.

Gjithashtu është formuar një “jet” llave që i kalon 500 metra lartësi nga krateri i vullkanit, ndërsa një kolonë hiri vullkanik ngrihet në qiell në një distancë prej më shumë se një kilometër nga maja e vullkanit, sqaroi Insivumeh.