Uashingtoni e ka dënuar më parë bashkëpunimin ushtarak Iran-Rusi, por të premten përshkroi një marrëdhënie të gjerë që përfshin shkëmbimin e pajisje si helikopterët dhe avionët luftarakë, dhe dronët, që rezultuan në sanksione të reja amerikane ndaj entiteteve ruse për përfshira në këtë partneritet.

“Rusia po përpiqet të bashkëpunojë me Iranin në fusha si zhvillimi i armëve dhe stërvitjet”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby.

Moska “po i ofron Iranit një nivel të paprecedentë mbështetjeje ushtarake dhe teknike, që po e transformon marrëdhënien e tyre në një partneritet të plotë në fushën e mbrojtjes”, tha ai.

“Ne kemi parë gjithashtu raporte se Moska dhe Teherani po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një linje të përbashkët prodhimi për dronët vdekjeprurës në Rusi. Ne i bëjmë thirrje Iranit të tërhiqet nga ky bashkëpunim.”

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj tre entiteteve me bazë në Rusi, që janë të angazhuara në mënyrë aktive në “blerjen dhe përdorimin e dronëve iranianë”.

Sanksionet kanë në shënjestër Forcat Hapësinore Ruse, Qendrën Shtetërore 924 për Avionët Pa pilot dhe Komandën e Transportit Ushtarak Ajror. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin çdo mjet për të penguar këto transferime dhe për të vendosur pasoja për ata që janë të përfshirë në këtë aktivitet”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë mbi sanksionet.