.

Kryeministri polak: Nuk mund të përjashtojmë që sulmi raketor mund të jetë provokim

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki është shprehur se Polonia “nuk mund të përjashtojë” që sulmi me raketa pranë kufirit ukrainas mund të jetë një provokim. Megjithatë, ai përsëriti se “Polonia është e sigurt”.

“Ne nuk mund të përjashtojmë që bombardimi i infrastrukturës ukrainase pranë kufirit ishte një provokim i qëllimshëm i bërë me shpresën se një situatë e tillë mund të lindte”– tha Morawiecki

Kjo vjen pasi NATO dhe presidenti polak ranë dakord se goditja, e cila vrau dy njerëz në Poloninë lindore, ishte “ndoshta” një raketë e humbur ukrainase e mbrojtjes ajrore.

Presidenti Andrzej Duda tha se nuk kishte asnjë tregues se shpërthimi ishte një “sulm i qëllimshëm”, duke e përshkruar atë si një aksident fatkeq.

“Nga informacioni që kemi ne dhe aleatët tanë, ishte një raketë S-300 e prodhuar në Bashkimin Sovjetik, një raketë e vjetër dhe nuk ka asnjë provë që të ishte lëshuar nga pala ruse”, tha zoti Duda.

“Ka shumë të ngjarë që të jetë qëlluar nga mbrojtja kundërajrore e Ukrainës.”