.

“Kam frikë”/ Arrestohet vajza italiane në Iran, telefonata me prindërit: Më ndihmoni të dal prej këtu

Alessia Piperno, është 30-vjeçarja italiane, e cila u arrestua në Iran dhe po mbahet në një burg të Teheranit.

Lajmin e kanë dhënë prindërit, të cilët kanë raportuar se kanë marrë një telefon nga vajza e tyre që ishte arrestuar gjatë protestave kundër regjimit, raporton TGcom.

“Ju lutem më ndihmoni, kam frikë se nuk do të dal më”, mësohet të jetë shprehur vajza.

Rasti në fjalë po ndiqet dhe nga ambasada italiane në Teheran, por për momentin nuk ishte e mundur të identifikohej burgu ku ndodhet shtetasja italiane. Familja e të resë ka nisur një apel në rrjetet sociale.

Alessia, shkruajnë prindërit e saj, “është një udhëtare e vetmuar, ajo udhëton nëpër botë për të mësuar mbi zakonet dhe traditat e popujve. Ajo gjithmonë ka respektuar traditat dhe, në disa raste, detyrimet e çdo vendi që ka vizituar”.

Babai dhe nëna nuk kishin dëgjuar asnjë lajm për vajzën që nga 28 shtatori, ditëlindja e saj. “Ishte ajo që duke qarë na paralajmëroi se ishte në burg në Teheran. Ajo u arrestua nga policia së bashku me miqtë e saj teksa po përgatitej të festonte ditëlindjen. Ishin vetëm pak fjalë që tha, por ishte shumë e dëshpëruar dhe kërkoi ndihmë”, pohuan prindërit.