.

“Një shans për jetën”, Hungaria me rregulla të reja për abortin, ja veprimi prekës që synon të ndryshojë mendjen e grave shtatzëna

Ndërkohë që Gjykata Supreme amerikane mori pak kohë më parë vendimin për shpalljen e abortit të paligjshëm, Hungaria ka përdorur një tjetër masë në tentativë për të ulur numrin e aborteve.

The Times raporton se duke nisur që nga dita be nesërme, gratë shtatzëna të cilat kërkojnë të abortojnë, do tu kërkohet që fillimisht të dëgjojnë tingullin e rrahjes së zemrës të embrionit.

Lëvizja e qeverisë së Viktor Orban, kryeministrit populist, sinjalizon një shtrëngim të ligjeve relativisht liberale të vendit për abortin duke i detyruar mjekët t’i paraqesin gruas shenjat vitale të embrionit ose fetusit.

Aborti në Hungari lejohet deri në javën e 12-të të shtatzënisë për arsye mjekësore ose sociale, dhe më vonë nëse ka komplikime të rënda shëndetësore.

“Pothuajse dy të tretat e hungarezëve e lidhin fillimin e jetës së një fëmije me rrahjen e parë të zemrës”, thuhet në dekretin e lëshuar nga ministri i brendshëm, Sandor Pinter.

Ministria e Brendshme tha se pajisjet moderne mund të zbulojnë rrahjet e zemrës në fillim të shtatzënisë dhe kështu të ofrojnë “informacion më të plotë për gratë shtatzëna”.

Ndryshimi në ligj do të thotë që gjatë aplikimit për abort, një grua duhet të paraqesë një certifikatë mjekësore që thotë se “faktorët që tregojnë praninë e funksioneve vitale të embrionit janë vënë në vëmendje të saj në mënyrë të qartë”.