.

“Filluam të përqafohemi e puthemi sërish”/ Rakacolli: Vaksinohuni me booster! Omicron me 5 variante më ngjitëse, ja kur do kthehen maskat

Në studion e emisionit “Open” është shtruar për diskutim tema “Çfarë po ndodh me pandeminë” dhe ekspertët e fushës, si mjeku imunolog Ardian Jorgji, ish-ministri i Shëndetësisë Gjergj Koja, kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli dhe mjeku infeksionit Gent Stormi kanë shpjeguar arsyet për shtimin e rasteve të të prekurve me Covid19.

Rakacolli është shprehur se shtimi i rasteve të të infektuarave është një trend global, por në Shqipëri favorizohet kryesisht nga ritmi i ulet i të vaksinuarve, pasi qytetarët e neglizhuan marrjen e të 3-ja dozave pas rënies së infektimeve nga muaji mars e më pas.

DISKUTIMI:

Eni Vasili: Kishim pothuajse 1 mijë raste të reja me Covid ditën e sotme, a është shqetësues ky trend?

Rakacolli: Jemi në vitin e tretë që tregon se virusi nuk ndalet as nga temperaturat e larta. Kjo është tendencë e gjithë botës. Rastet janë rritur në të gjithë botën. Thamë që pandemia nuk ka mbaruar dhe këtë e tregon edhe kjo rritje.

Eni Vasili: Po pse kjo rritje?

Rakacolli: Ka disa shpjegime për këtë gjë. Për disa javë pati një trend të ulët të qëndrueshëm, ndaj u hoqën masat kufizuese.

Eni Vasili: A është ky rezultat i heqjes së masave?

Rakacolli: Jo nuk është plotësisht rezultat i heqjes së masave. Vaksinimi është arsye e fortë.

Eni Vasili: Për vaksinimin ne e pamë tabelën dhe ja regjia e tregon prapë, ku ne s’jemi ndonjë vend kampion në vaksinim?!

Rakacolli: Mbrojtja nga vaksinimi nuk është e përhershme. Duhen bërë dozat buster. Nëse patëm një nivel të lartë vaksinimi në fillim, ne nuk bëmë dozat buster, dozën e 3 dhe të 4. Por kjo nuk u zbatua edhe pse shqiptarët e kanë të disponueshëm në qendrat e tyre shëndetësore vaksinën 1&2 por edhe busterin. Virusi që del nga njerëzit e pavaksinuar është më shumë ngjitës dhe e ul eficencën e vaksinës.

Eni Vasili: Pra ju po thoni që mosvaksinimi është problemi?

Rakacolli: Omicron-it i kanë dalë 5 variante të reja dhe të gjitha këto janë më rezistuese se virusi bazë. Por edhe mosrespektimi i masave se harruam se jemi në pandemi dhe filluam të përqafohemi dhe të puthemi sërish ne.

Eni Vasili: Në mbledhjen e sotme pse nuk vendosët të kemi sërish disa masa kufizuese, të paktën masat në ambientet publike?

Rakacolli: Ne masat i marrim në përputhje me shifrat. Vërtetë ka një tendencë rritjeje, por ne po kërkojnë në radhë të parë të bëjmë thirrje për vaksinimin, por i kemi rekomanduar edhe maskat.