.

“Engjëll Agaçi shpalli fitues në mënyrë të paligjshme konçesionarin e Elbasanit”, Kryemadhi nxjerr emrat: Ja te cilat afera del firma e Ramës

Në studion e “Open” është diskutuar me tone të ashpra midis kryetares së LSI, Monika Kryemadhi dhe gazetares Klodiana Lala skema e evazionit fiskal me faturat e koncesionarëve të inceneratorëve.

Lala e ka pyetur Kryemadhin nëse posedon fakte konkrete dhe dokumente që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, sekretarin e Kryeministrisë Engjëll Agaçi apo edhe vetë kryeministrin Edi Rama në këtë skemë mashtrimi.

Kryetarja e LSI zbuloi se ka prova që kryeminstri përfshihet në firmosjen e inceneratorëve të Tiranës dhe të Fierit, ndërsa ka akuzuar sekretarin e Kryeministrisë Engjëll Agaçi që me ndërhyrjen e tij direkte ka çuar përpara në shkelje të ligjit skemën e mashtrimit me inceneratorin e Elbasanit.

DISKUTIMI:

Klodiana Lala: Cili është roli konkret i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe sekretarit të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi dhe çfarë dokumentesh posedoni ju për t’i akuzuar.

Monika Kryemadhi: Për Engjëll Agaçin e di që është te inceneratori i Elbasanit. Shpallja e fituesit “Albtech Invest” në mënyrë të paligjshme që duhet të ishte prokurim ndërkombëtar, nuk u bë, nuk u la 40 ditë siç e ka ligji, pra implikojnë drejtpërdrejte Engjëll Agaçin dhe gjithë ministrat që kishin anën ligjore të kësaj. Për çështjen financiare është Lefter Koka.

Për Arben Ahmetaj nuk ka firmë në Elbasan dhe Fier, Ahemtaj. Nuk e di se cili është implikimi i tij në inceneratorin e Tiranës. Në Fier, zoti Subashi e di që ka bërë deklaratë se i është kërkuar të bëjë kthimin nga tokë arë të tokës ku është bërë inceneratori i Fierit.

Klodiana Lala: Një shkresë që e ka firmosur zoti Veliaj është publikuar, por a ka shkresa të tjera që implikojnë zotin Veliaj? Dhe kur flisni për Zotin Rama, a ka shkresa zyrtare të firmosura nga Rama që e implikojnë direkt në kryerjen e veprave penale, si shpërdorim detyre etj.

Monika Kryemadhi: Për zotin Rama është e thjeshtë, se mund të ndjekësh këtë linjën e firmave nga ministritë. Eshtë e thjeshte mjafton të merresh më të gjithë çështjen. Veliaj ka angazhim të drejtpërdrejt financiar. Sa i përket shpërdorimit të detyrës së Edi Ramës këtë e zgjidh SPAK. Rama vetëm dy vendime qeverie ka firmosur për inceneratorët e Tiranës dhe Fierit.

Mentor Kikia: Çfarë përbën shkelje në Tiranë?

Kryemadhi: Inceneratori i Tiranës është angazhim 30 vjeçar…

Mentor Kikia: Çfarë nuk shkon?

Kryemadhi: Për inceneratorin e Tiranës mundësia për të mos vazhduar më që firmat e ndërtimit të paguajnë para në dorë apo fatura të tmerrshme financiare për të justifikuar të ardhura për Klodian Zoton, SPAK më e pakta që mund të bëjë është t’i bllokojë llogaritë bankare. Tani e dini ju kush i administron bizneset e Lefter Kokës. Kjo tregon lidhjen e politikanëve me çështjen e inceneratorëve.

Mentor Kikia: Klodian Zoton e përmendi tri herë në minutë, ndërsa këto kompanitë e mëdha që kanë bërë të njëjtë gjë, ju refuzoni ti përdorni.

Kryemadhi: Unë nuk refuzoj… Unë kam kapur 24 kompani, mund të jenë 150 kompani…Dosja është këtu, përse të dilni vetëm ju në TV, më lini edhe mua të dal në TV.