.

Komisioni i Rithemelimit sulmon ashpër paktin e Ballës me Alibeajt për Presidentin: Rama e do ta shesë kreun e shtetit si…

Komisioni i Rithemelimit ka denoncuar sërish sot marrëveshjen e një dite më parë mes kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeajt që opozita të ketë të drejtën të propozojë kandidatë për Presidentë në raundin e dytë dhe të tretë.

Një orë para mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së të thirrur nga Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashi i Komisionit të Rithemelimit, tha se Rama po kërkon ta shesë Presidentin si konsensual duke përdorur demokratët.

“Dje u shpall një marrëveshje e re. Balla i dha të drejtën Alibeajt të propozojë kandidatë për president. Rama kërkon që kandidatin e tij të preferuar ta sjellë opozita dhe ta shesë si President konsensual”, tha Bylykbashi.

Sipas tij “Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur sot deputetët e PD-së që të legalizojë marrëveshjen e tij personale me Ramën. Deputetët e PD janë të ndërgjegjshëm që përfaqësojnë vullnetin e demokratëve. Opozita nuk ka nevojë për marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo është në kushtetutë. PD e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë. Presidenti i shqiptarëve duhet të jetë përfaqësuesi real i vullnetit të popullit”.

Deputetët e Rithemelimit janë kundër përfshirjes së opozitës në procesin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ndërkohë që dje Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Arbi Agallaiu, Fatmir Mediu, Agron Duka, Mesila Doda, Elisa Spiropali, Damian Gjiknuri dhe Taulant Balla u ulën në tryezë për gjetjen e një konsensusi për emrin, teksa u ra dakord që deri në raundin e tretë, propozimet do i bëjë vetëm opozita.