.

Ukraina dhe Pandemia: Beteja e bankave qendrore kundër inflacionit dhe rasti i Bankës së Shqipërisë


Prof. Dr. Ermelinda Meksi

Pse po rriten çmimet dhe normat e interesit? Është pyetja që po shtrohet ndërsa rritja me shpejtësi e çmimeve vjen kryesisht si pasojë e lehtësimit të kufizimeve të mëparshme nga pandemia të cilat nxitën rritjen e konsumit pas dy vjet izolimi.

Sasia e prodhimit të mjaft produkteve pas pandemisë ka qenë e pamjaftueshme për të përballuar kërkesat e tregut në rritje, duke përshpejtuar kështu rritjen e çmimeve të produkteve, kryesisht lëndë të para dhe ato ushqimore bazë.

Kjo u shfaq fillimisht nga një rritje shumë e mprehtë e çmimeve te naftës dhe gazit, që u përkeqësua më tej nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, duke sjellë rritjen e çmimeve në gjithë zinzhirin e furnizimit të mallrave.

Për të kontrolluar rritjen e çmimeve – ose inflacionin, Bankat Qendrore përgjigjen me rritjen e normave bazë të interesit. Kjo rrit koston e huamarrjes dhe dekurajon individët, bizneset dhe qeveritë të marrin kredi/ hua dhe kështu të shpenzojnë më pak, duke inkurajuar kursimin dhe ndihmuar në lehtësimin e inflacionit të çmimeve.

Megjithatë rritja e normës së interesit është një veprim i ashpër balancues që duhet të bëhet me shumë kujdes që mos të shpjerë në ngadalësimin e ekonomisë. Në kushtet kur rritja e çmimeve ka prekur gjithë globin, ka një kufi mbi efektivitetin e rritjes së normave të interesit vendosur së fundi nga Bankat Qendrore në shumë vende të botës.

“Inflacioni është shumë i lartë dhe ne kuptojmë vështirësinë që ai po shkakton,” u shpreh kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell në konferencën e shtypit pas mbledhjes së bordit të guvernatoreve të Federal Reserves në Uashington të mërkurën.

Por rritja e normave të interesit krahas frenimit të inflacionit mbart rrezikun ë ngadalësimit ekonomik, veçanërisht në kohët e sotme kur përballemi me sfida të reja, si lufta në Ukrainë dhe mbylljet e fundit të Covid në Kinë.

Sipas ekonomistit Donald Kohn, që më parë ka shërbyer në komitetin e përcaktimit të normave të Fed. “Kjo është një rrugë e ngushtë ku duhet ecur dhe do të jetë një detyrë shumë e vështirë”.

Rritja e normave të interest në nivel global

Rezerva Federale e SHBA, disa ditë më parë rriti normat e interesit me 0,5% duke e shpënë atë në 1%, çka nuk ishte parë që prej 22 vitesh . Po ashtu nuk kish ndodhur që prej 2006 që normat të rriteshin dy herë radhazi duke pasur parasysh rritjen prej 0.25% vendosur nga Reserva Federale në Mars.

Kjo konsiderohet si masë e jashtëzakonshme për kohë të jashtëzakonshme në kushtet e rritjes se inflacionit në 8.5% në Mars, duke arritur nivelin më të lartë të tij në 40 vitet e fundit, ndersa objektivi i Reserves Federale është 2%.

Rritja e inflacionit rrezikon të mos ndalet për shkak të vazhdimit te luftës në Ukrainë si dhe mbyllja(lockdown) në Kinë shkaktuar prej pandemisë.

Sipas Jerome Powell “thelbësore për uljen e inflacionit është të veprohet shpejt”. Rritjet e mëtejshme e normës së interest do të jenë në diskutim ne mbledhjet e ardhshme të bordit të Fed Reserves në mes të Qershorit dhe në fund të Korrikut.

Reserva Federale e SHBA gjithashtu ka njoftuar për një politikë të shtrengimit sasior duke filluar nga 1 Qershori, krejt e kunderta e lehtesimit të zbatuar më parë për të zbutur efektet e krizës financiare globale. Për përballimin e pandemisë, llogaritë e bankës qendrore u rritën nga 4,000 miliardë dollarë në 9 trilion dollarë, likuiditet ky sa gjysma e PBB së SHBA, që në situatën aktuale ekonomike konsiderohet tepër i lartë .

Në këto kushte ajo është e vendosur të ndjekë një politikë monetare kufizuese me të gjitha mjetet që ka në dispozicion. Rritja e normës së interesit nga Reserva Fedederale synon të ngadalësojë rritjen e çmimeve dhe inflacionit, nëse rritja ekonomike në SHBA do jetë aq e qëndrueshme sa të perballojë politikën shtrënguese monetare pa rënë në recesion.

Kjo është e pasigurtë duke mbajtur parasysh rënien prej 1,44% te PPB në SHBA në tremujorin e parë të vitit 2022.

Edhe vende të tjera po adoptojnë qasje të ngjashme, duke rritur gjithashtu normat e interesit:

Banka e Anglisë rriti të enjten normën e interesit me 0.25% që përbën rritjen e katërt që nga Dhjetori duke arritur nivelin më të lartë 1% në 13 vite.

Me këtë masë Banka e Anglisë synon të ngadalësojë rritjen e çmimeve. Ajo paralajmëron se inflacioni mund të kalojë 10% në fund te vitit, e paparë qysh prej 1982.

Prej krizës globale financiare në vitin 2008, normat e interesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë në nivele historikisht të ulëta. Vitin e kaluar, ato ishin deri në 0.1%.

Banka Qendrore e Indisë, njoftoi të mërkurën një rritje të papritur të normës së saj bazë, në nivelin 4.4%, duke sjellë rritjen e parë e normës në dy vjet, ndërkohë që Banka Qendrore e Australisë miratoi së fundmi rritjen e saj të parë të normës së interesit në 0,35% pas më shumë se një dekadë.

Po keshtu dhe Banka Qendrore e Meksikës rriti normën e interesit të saj në 6.5%

Por nuk ka siguri për efektet e parashikuara të uljes së normave të interesit.

Siç permenda më lart egziston rreziku që ato mund të shkaktojnë një ngadalësim të ndjeshëm ekonomik, veçanërisht te ndikuara nga lufta në Ukrainë dhe mbylljet e fundit në Kinë shkaktuar prej Covid 19.

Sipas ekonomisti Donald Kohn,që ka shërbyer në komitetin e përcaktimit të normave të Reserves Federale: “Kjo është një rrugë e ngushtë ku duhet ecur prandaj ajo do të jetë një detyrë shumë e vështirë”.

Banka Qendrore Europiane po shfaq nje qasje tjetër. Ajo duket se preferon pritjen, pavarësisht inflacionit në Eurozonë në nivelin 7.5% në Prill kryesisht si rezultat i rritjes së shpejtë të cmimeve të energjisë-.Norma e saj e interesit ka mbetur në nivelin 0%.kur në shumë banka të vendeve europiane ajo ka qenë negative. Politika e BQE, mbetet akoma e paqartë për mundësinë e një rritjeje së normës bazë të interest para tremujorit te tretë.

Koha do tregojë mbi drejtësinë në qasjen e deritanishme të politikës monetare në Europën e Bashkuar ,ShBA dhe më tej.

Po Shqipëria?

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë në Mars ndoqi të njëjtën qasje duke rritur pas dy vitesh, normën bazë të interesit nga niveli 0.5% në nivelin 1.% dhe përshtatur kështu politikën monetare me kushtet e reja ekonomike dhe rritjen e inflacionit ne nivelin 5,7 % ne Mars.

Kjo politike që synon ngadalësimin e inflacionit pa dëmtuar rimëkëmbjen ekonomike kërkon monitorimin e kujdesshëm të reagimit të ekonomisë shqiptare në mënyrë që të respektohet objektivi i inflacionit të Bankës së Shqipërisë 3%, si dhe ruajtja e stabilitetit financiar dhe rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të ekonomisë.

Përballimi i sfidave aktuale kërkon një koordinimi efektiv të politikës fiskale dhe asaj monetare për të frenuar pasojat ekonomike dhe financiare të sfidave globale si lufta në Ukrainë dhe efektet e vazhdueshme të pandemisë.

Në vend të mbylljes

Mbledhja e pranverës së FMN në prill të këtij viti midis te tjerash theksoi se: “Rimëkëmbja e ekonomisë globale është ngadalësuar për shkak të luftës në Ukrainë e pasojave të saj komplekse si dhe shfaqjes së varianteve të reja të Covid-19.

Rritja e fortë e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve ka rritur presionet inflacioniste. Pasiguria e paprecedentë, normat në rritje të interesit dhe borxhi i lartë global në nivele rekord mund të përkeqësojë dobësitë ekzistuese.

Rreziqet e mundshme lidhur me vështirësitë për shërbimin e borxhit, së bashku me fluksin e refugjatëve, pasigurisë ushqimore në rritje dhe pabarazinë mund të shtojnë presionet sociale.

Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike, së bashku me sfidat e tjera të përbashkëta si siguria e energjisë, përballueshmëria dhe qëndrueshmëria – po bëhen gjithnjë e më serioze duke kërkuar vëmendje të menjëhershme.