.

Transformimi i Zelensky/ President i dështuar në paqe, frymëzim në luftë

Nga Jay Parini, CNN*

Pushtimi brutal dhe tërësisht i pajustifikuar i Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë e ka tronditur botën.

Është një konflikt i paprecedentë në kohët moderne, siç vëren Thomas L. Friedman në The New York Times. Duke përmendur TikTok dhe platformat e tjera të mediave sociale, së bashku me satelitët dhe të dhënat e drejtpërdrejta të trafikut në Google Maps, Friedman shkruan, “Mirësevini në World War Wired – lufta e parë në një botë krejtësisht të ndërlidhur”.

Është një pushtim në shkallë të gjerë që po “transmetohet drejtpërdrejt, minutë pas minute, betejë pas beteje, vdekje pas vdekjes, në botë”, – shkroi Daniel Johnson, një veteran dhe gazetar i Luftës së Irakut.

Ata prej nesh që kanë fatin të jenë me milje larg nga sulmet me raketa, të shtënat me armë dhe granatimet, po i shikojnë ngjarjet të shpalosen në kohë reale në telefonat inteligjentë dhe ekranet e tjera.

Dhe figura heroike në qendër të kësaj lufte nuk është askush tjetër veçse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, një ish-aktor dhe komedian që u bë i njohur duke luajtur një personazh në një shfaqje televizive popullore, i cili aksidentalisht bëhet president. Zelensky më pas e ndau suksesin e tij në politikë, duke kandiduar për postin e të parit të vendit në vitin 2019 me një parti të vogël të quajtur sipas shfaqjes së tij, “Shërbëtori i Popullit”.

Imagjinoni një vend ku një yll televiziv mund të bëhet president dhe të shfaqet si një fanar guximi!

Ukraina më ka interesuar si vend që nga vizita ime e parë atje si student kolegji në vitin 1969, kur vendi ishte një shtet anëtar i pakënaqur i Bashkimit Sovjetik. Më kujtohet se bëra njëherë gabimin duke e quajtur Ukrainën një “satelit rus” dhe u sulmova nga një zotëri patriot, i cili më tha në mënyrë të qartë se Ukraina kishte gjuhën, letërsinë, historinë, muzikën dhe traditat e saj kulturore të dashura.

Në gusht të vitit 1991, Ukraina u tërhoq zyrtarisht dhe me krenari nga Bashkimi Sovjetik, por tranzicioni drejt një demokracie të plotë nuk ka qenë i lehtë, pasi korrupsioni ka penguar qeveritë për dekada. Në kohën e zgjedhjes së Zelensky, u ndjeva mjaft skeptik. Personazhi që ai luajti në shfaqjen televizive ishte një reformator dhe shfaqja shtrembëronte klasat politike në Ukrainë, si dhe Rusinë, Bjellorusinë dhe Gjeorgjinë fqinje. Qytetarët ukrainas e zgjodhën që të bënte në jetën reale atë që bëri në televizion, të fshinte korrupsionin me një fshesë të madhe.

Por suksesi i Zelensky ishte i kufizuar dhe popullariteti i tij erdhi në rënie pas disa vitesh. Në tetor 2021, sondazhet tregonin se pëlqimi për të ishte në rënie të lirë.

Por ndonjëherë historia i vjen në shpëtim një politikani dhe java e kaluar e ka transformuar Zelenskyn nga një figurë presidenciale që po rrënohej me shpejtësi, në një hero kombëtar në një shkallë masive. Ai e ka treguar veten si një njeri që ka gërmuar në vetvete dhe ka gjetur një rezervë guximi frymëzues. Kur Shtetet e Bashkuara ofruan ta evakuonin nga Ukraina, ai qëndroi në këmbë, duke thënë: “Lufta është këtu; kam nevojë për municion, jo për një taksi”.

Ai ka postuar disa video në internet dhe ato kanë frymëzuar popullin ukrainas. Në një video të titulluar “Ne jemi këtu. Jemi në Kiev. Ne po mbrojmë Ukrainën”, Zelensky mund të shihet i rrethuar nga këshilltarët e tij kryesorë.

“Ne jemi të gjithë këtu. Ushtria jonë është këtu. Qytetarët dhe shoqëria janë këtu. Ne po mbrojmë pavarësinë tonë, shtetin tonë dhe kështu do të mbetet” – thotë ai.

Zelensky, një folës i rrjedhshëm i rusishtes, u ka bërë thirrje gjithashtu rusëve në një video tjetër, duke u kërkuar atyre që “thjesht të ndalojnë ata që gënjejnë. Ju gënjejnë juve, na gënjejnë neve, gënjejnë të gjithë, gjithë botën. Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte. Ne mund të jetojmë në paqe, në një paqe globale”.

Dhuntia e tij e komunikimit dhe zotërimi i tij i jashtëzakonshëm i mediave sociale e bëjnë atë një kundërshtar të frikshëm për Putinin, edhe pse ushtria që ai komandon, në numër dhe burime të mëdha është e zbehtë përballë asaj të Rusisë.

Askush në këtë pikë nuk mund as të fillojë të imagjinojë përfundimin e kësaj lufte. Por ne sigurisht e dimë se Zelensky e ka dëshmuar veten një hero të kohës së tij dhe një zëdhënës të denjë për demokracinë liberale dhe lirinë e Ukrainës.

Ai ka sfiduar me guxim logjikën e agresionit të pakufizuar të Putinit, duke hedhur bazat për një të ardhme ku populli ukrainas ka edhe një herë të drejtën për vetëvendosje.

Ju heqim kapelen, zoti Zelensky. Bota është pas jush.

©Marrë nga CNN