.

Zbardhet skema/ 100 mijë euro për kriptomonedha, si u mashtrua shtetasi italian nga ‘call center-i’ në Tiranë

Zbardhen detaje të reja nga aksioni i Policisë së Tiranës për goditjen e “call center-ave’, që mashtrojnë qytetarët.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se policia ka identifikuar ambientin, ku ishte vendosur ‘call center-i’ i paregjistruar, që mashtronte shtetasit e huaj, duke përfituar shuma të mëdha parash.

31-vjeçari i arrestuar, Olti Ferhataj, së bashku me tre shtetasit e proceduar, mashtronin qytetarët, duke thënë se ishin agjentë burse dhe i bindin ata të investonin shuma të konsiderueshme për të blerë monedha elektronike.

Siç mëson gazetarja Bezat, rasti i fundit ishte një qytetar italian, i cili është mashtruar nëpërmjet telefonave për të investuar mbi 100 mijë euro për të blerë kriptomonedha. Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se 31-vjeçari i arrestuar dhe bashkëpunëtorët e tij i mashtronin shtetasit e huaj, duke u prezantuar si ajentë burse.