.

Përplasja e fortë/ Britania: Rusia po komploton për një qeveri të Kievit pro saj. Moska: Fake news

Përplasje të forta kanë ndodhur përgjatë 24 orëve ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Rusisë sa i përket konfliktit me Ukrainën.

Britania e Madhe ka akuzuar të shtunën presidentin Putin për komplot për të instaluar një figurë pro-Moskës për të udhëhequr qeverinë e Ukrainës. Ministria e Jashtme britanike ndërmori hapin e pazakontë duke deklaruar që ish-deputeti ukrainas Yevhen Murayev mund të jetë një kandidat i mundshëm i Kremlinit.

Yevhen Murayev është kreu i partisë së vogël pro-ruse Nashi, e cila aktualisht nuk ka vende në parlamentin e Ukrainës.

Politikani pro-rus i emëruar nga Londra si zgjedhja e mundshme e Kremlinit për të udhëhequr një qeveri të re të Ukrainës e përshkroi NATO-n javën e kaluar si një “vegla gjeopolitike” të Shteteve të Bashkuara.

Duke folur në kanalin e tij televiziv Nash javën e kaluar, Yevhen Murayev sugjeroi se Moska nuk do ta kthejë kurrë Krimenë e aneksuar nga Rusia ose rajonin lindor të Donbasit, i cili është nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia, në Kiev.

Rusia ka zhvendosur 100,000 trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën, por mohon se po planifikon një pushtim.

Ministrat e Mbretërisë së Bashkuar kanë paralajmëruar se qeveria ruse do të përballet me pasoja të rënda nëse do të ketë një inkursion. Në një deklaratë, Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha: “Informacioni i publikuar sot hedh dritë mbi shtrirjen e aktivitetit rus të krijuar për të përmbysur Ukrainën dhe është një pasqyrë e të menduarit të Kremlinit.

Ajo tha gjithashtu se “Rusia duhet të de-përshkallëzojë, t’i japë fund fushatave të saj të agresionit dhe dezinformimit dhe të ndjekë rrugën e diplomacisë”.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e bëri pretendimin bazuar në një vlerësim të inteligjencës, mes një lufte fjalësh midis Moskës dhe Perëndimit mbi planet e Rusisë për Ukrainën.