.

Tërmeti i fuqishëm në Greqi/ Qytetarët dalin jashtë banesave, IGJEUM: Ishte 6 ballë

Tërmeti me intensitet 6 ballësh dhe magnitudë 5.6 të shkallës Rihter shkundi mbrëmjen e kaluar shtatë shtete, përfshirë dhe Shqipërinë. Tërmeti me epiqendër në Follorinë, qytet në veri të Greqisë në kufi me Maqedoninë e Veriut është ndjerë deri në Kosovë. Shtetet e prekura nga lëkundjet janë: Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut dhe Kosovë.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit me anë të njoftimit zyrtar bënë të ditur se epiqendra është lokalizuar 40 km në Veri Lindje të Bilishtit, ndërsa intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64.

Tërmeti me thellësi 14.3 km është ndjerë në shumë zona të Greqisë se Veriut, në krahinën e Maqedonisë Perëndimore, Qëndrore deri në Selanik, por edhe me tej në jug deri në qytetet e Trikallas dhe Larisës. Banorë të Follorinës kaluan natën jashtë banesave të tyre pasi kishin frikë për të qëndruar brenda.

Lëkundjet janë ndjerë në Tiranë, Durrësi, Fieri, Elbasan, Berat, Vlorë, Korçë e Gjirokastër. IGJEUM nuk raporton dëme, por shkruan se zona rreth 5 kilometra në lindje të Pogradecit e ka ndjerë më shumë lëkundjen e fuqishme.

Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës, profesori grek Akis Tselentis, ka deklaruar se tërmeti i mbrëmjes së djeshme ishte kryesori. Ai paralajmëroi se për shkak se thellësia fokale e tërmetit ishte e vogël, sekuenca do të vazhdojë për një kohë të gjatë “madje edhe për ditë, ndoshta javë”.

Fatmirësisht nga lëkundjet nuk kishte persona të lënduar apo viktima.