.

Atentati në Fushë-Krujë/ “Nuk e pamë kush qëlloi, i dhamë gaz makinës që të shpëtonim”, zbardhet dëshmia e Bejtjas e Stafukës. Gjenden 10 gëzhoja në vendngjarje

Policia ka shoqëruar katër persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, për atentatin e mbrëmshëm ndaj Gentian Bejtjes 40 vjeç dhe shokut të tij Klodian Stafuka. Deri tani policia thotë se nuk ka ende persona të dyshuar për atentatin.

Nga marrja në pyetje dy personat që ishin shënjestër e atentatit pak të dhëna i kanë dhënë policisë.

“Ishim në Fushë-Krujë e po ktheheshim në shtëpi. Na doli në rrugë një makinë e zeze që qëlloi në drejtimin tonë. I dhamë makinës gaz që të shpëtonim nga plumbat. Nuk e pamë kush na qëlloi, vetëm dëgjuam breshërinë e plumbave. U shmangëm sa mundëm për teë shpëtuar. Nuk i pame kush ishin se dolën nga errësira e na qëlluan”, kanë deklaruar Bejtja e Stafuka.

Nga hetimet policia thotë se në vendin e atentatit nuk kanë mundur të sigurojnë pamje filmike që mund t’i çonin drejt identifikimit të autorëve. Është gjetur një segment pa kamera sigurie, por po përpiqemi që nga telefonat e Bejtjas dhe Stafukës të zbulojmë me cilët persona kanë folur së fundi, dhe me cilët kanë qenë në takim në Fushë-Krujë sepse ata nuk japin të dhëna për konfliktet që kanë.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja, të cilat janë administruar nga hetuesit.