.

Gjermani, e qeshura gjatë vizitës në zonat e përmbytura fundos Laschet në sondazhe

Kandidati kryesor për postin e kancelarit, Armin Laschet u fundos në një sondazh si lider për menaxhimin e krizave, pas së qeshurës së pakontrolluar gjatë një vizite në zonat e përmbytura në perëndim të Gjermanisë.

Ai u kalua në sondazhe nga social-demokrati Olaf Scholz, sipas një pyetësori të organizuar nga ”Civey” për llogari të gazetës ”Der Spiegel”.

Vetëm 26 për qind e gjermanëve e vlerësojnë kandidatin konservator për kancelarinë, të aftë për të trajtuar situatat e krizës, ndërsa 41 për qind të tjerë ia atribuojnë këtë Olaf Scholz.

Në vendin e tretë renditet kandidatja e të gjelbërve, Annalena Baerbock.

Sidoqoftë, kur qytetarët u pyetën se për cilën parti do të votonin për të trajtuar një krizë në rast urgjence, 36 për qind thanë CDU, 19 për qind SPD dhe 17 për qind të gjelbrit.

Armin Laschet, kandidati kryesor për zëvendësimin e kancelares, Angela Merkel në zgjedhjet e shtatorit, kërkoi falje për të qeshurat gjatë vizitës së tij në zonat e prekura nga përmbytjet në Gjermaninë Perëndimore.

Laschet theksoi se ”ishte tronditur nga udhëtimi në zonat e përmbytura dhe ishte i zemëruar me veten për momentet e të qeshurave që ndezën kritika”.

“Unë kam qenë në rrugë gjatë gjithë ditës, kma pasur takime emocionale që gjithashtu më kanë tronditur. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam edhe më i shqetësuar nga ato pak sekonda ku dukem duke qeshur”, tha Laschet për televizionin WDR në mbrëmje.

“Ishte e papërshtatshme, nuk është korrekte të qeshësh në një moment të tillë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu shkroi në Twitter se pendohej për përshtypjen që dha.

Fotot dhe videoja e së shtunës tregoi Laschet duke qeshur në sfond, ndërsa presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier po jepte deklaratë për shtypin gjatë një vizite në Nordrhein Westfalen, ku Laschet është kryeministër.//ATSH