.

Përse Prada quhet ndryshe ‘marka e intelektualëve’?

Quhet Miuccia Prada dhe është një nga më të mirat në industrinë e modës. Ka krijuar rroba gjatë gjithë jetës së saj dhe nuk ka asnjë pendesë për këtë. Ajo nuk ka një arsimim profesional në fushën e modës. Ka studiuar për Shkenca Politike në Universitetin e Milanos.

Ka lindur po në Milano në 1949-ën. Është mbesa më e vogël e Mario Prada-s, themeluesit të Prada, krijuar që në 1913-ën. Në atë kohë dyqani i tij quhej “Fratelli Prada”, pra “Vëllezërit Prada”.

Gjyshi i saj vdiq kur ajo ishte 9 vjeçe, por deri në atë kohë asnjë grua e familjes nuk kishte shkelur në biznesin e tij pasi ai nuk mendonte që gratë ishin të prera për këtë punë. Si për ironi të fatit, djali i Marios nuk pati interes në biznes dhe ishte nëna e Miuccia-s që ndoqi hapat e babait të saj.

Luisa Prada e drejtoi kompaninë për 20 vjet përpara se vajza e saj ta merrte në dorë drejtimin në 1978-ën.
Në të njëjtën kohë ka njohur edhe Patrizio Bertelli-n që në fillim ishte thjesht partner biznesi, por më vonë u bë burri i saj. Ata u martuan dhe kanë dy djem nga kjo martesë. Ishte pikërisht ideja e Patrizio-s që gruaja e tij të mos prodhonte vetëm çanta, por edhe veshje.

Frymëzuar nga parashutat dhe çantat ushatarake ajo prodhoi çantat e shpinës. Prada njihet si një nga prodhuesit që nuk e bërtet markën e vet nëpër produkte. Një çantë Prada dallohet për së largu vetëm nga ata që e njohin mirë. Të tjerët duhet të afrohen që ta shikojnë stemën.
Prada ka hedhur në treg edhe një tjetër linjë veshjesh, atë Miu Miu, sipas pseudonimit të Miuccia-s.

Thuhet se Prada është bërë për intelektualët pasi çdo koleksion ka një kuptim të veçantë. Miuccia u bë e para në botën e modës që nisi të bashkëpunonte me artistë.

“Kur zgjidhni rroba, duhet të përqendroheni vetëm tek vetja juaj. Për mua, kjo qasje është thelbësore. Të jesh vetvetja, të njohësh veten, të dish saktësisht se çfarë dëshiron është një aspekt kyç i jetës në përgjithësi, jo vetëm i modës. Po, është e vështirë, por e domosdoshme: duhet të zgjidhni punën tuaj të preferuar, preferencat tuaja, të vendosni se kush jeni, dhe pastaj çështja e zgjedhjes së rrobave do të bëhet e thjeshtë. Rrobat thjesht i shërbejnë jetës suaj dhe juve si person”, thotë Miuccia.

Bluzat me mbishkrim nuk janë stili i Prada-s.

“Mendimet e mia janë komplekse. Unë kurrë nuk do të isha në gjendje t’i shprehja ato me një fjalë apo fjali”, thotë Miuccia. Për të dhënë mesazhe të caktuara përmes veshjeve, zgjedh printet.

Asaj nuk i intereson nëse një model i prodhimeve të saj kopjohet pasi e di se klientët dinë të dallojnë dhe të zgjedhin.

Kur pyetet për një bashkëpunim të mundshëm me H&M ose Topshop, Miuccia është gjithmonë kundër. Prada nuk do të tregtojë kurrë rroba me çmime të volitshme.

Në vitin 2013, versioni i ri i The Great Gatsby me Leonardo DiCaprio bëri bujë edhe prej veshjeve që të gjitha Prada.
Gjatë karrierës së saj, Miuccia ka marrë shumë çmime. Në vitin 2014 u rendit si gruaja e 75-të më e fuqishme në botë sipas Forbes.

Bright Side/ Tiranapost.al