.

Koloseu i Romës do pësojë ndryshime, ky është projekti që parashikon si do duket

Qeveria italiane ka miratuar një plan për të rikonstruktuar Koloseun antik të Romës, në pjesën e dyshemesë, për t’u dhënë vizitorëve mundësinë që të qëndrojnë aty ku dikur gladiatorët luftuan.

Ministri i Kulturës Dario Franceschini njoftoi ditën e djeshme për projektin për të ndërtuar dyshemenë prej druri.

Firma italiane inxhinierike Milan Ingegneria fitoi kontratën 18.5 milion euro, për t’u marrë me projektin dhe zbatimin e tij. Dyshemeja e Koloseut pritet të përfundojë në vitin 2023.

Aktualisht, monumenti 2,000-vjeçar nuk ka dysheme pasi u hoq nga arkeologët në Shekullin 19.

Ministri Franceschini tha se projekti do t’i lejojë vizitorët të shohin madhështinë e Koloseut direkt nga qendra e tij. Koloseu konsiderohej si amfiteatri më i madh gjatë Perandorisë Romake.

Ai mbetet një nga monumentet më të famshëm të Italisë. Para goditjes nga pandemia, monumenti tërhoqi rreth 7.6 milion njerëz në vitin 2019./TIP