.

I jep fund lidhjes me të dashurin dhe ‘bashkohet’ me Flor Mumajesin, Soni Malaj tregon si lindi bashkëpunimi pas 10 vitesh ndarje

Historia Flori Mumajesi dhe Soni Malaj duket për publikun sa e “lashtë”, aq edhe e freskët.

Kjo, pasi prej 10 vitesh nuk kishte asgjë që i bashkonte këngëtarët, por njëkohësisht ata nuk janë fshirë asnjëherë nga memoria e publikut si çifti më i dashur i showbizit shqiptar dhe sot i kujtojnë si të tillë.
“Fluturimi 3470” kishte mbetur kujtimi i fundit nga Flori dhe Soni, deri ditën e diel ku dyshja “shokoi” ekranin.

Soni Malaj prezantoi këngën e saj pjesmarrëse në “Kënga Magjike” të këtij viti dhe e gjeni dot kush e ka shkruar tekstin e kësaj balade që të rrëqeth mishin?
Pikërisht Flori Mumajesi. Ish-çifti ka thyer tabu pasi nuk ndodh shpesh mes personazheve publikë që kanë pasur një histori kaq të bujshme dashurie, të rikthehen në një projekt të përbashkët pas 10 vitesh.

Në një intervistë për “Top Albania Radio”, teksa vlerësoi punën e ish-partnerit të saj si kantautor, këngëtarja u shpreh se balada iu propozua nga vetë Flori Mumajesi dhe u mirëprit nga publiku.

“Si bashkëpunim artistik ka mbaruar me albumin “Unik”, nga ai album dolën këngë të ndryshme e më pas nuk kemi bashkëpunuar. Mund të kenë kaluar gati 10 vite që prej atij bashkëpunimi. Mu propozua si këngë, sepse djemtë mendonin se është këngë e përshtatshme për mua. Flori padiskutim ka veçantinë e tij, si bashkëpunim jo u mirëprit por u përqafua shumë,”- u shpreh ajo.

Ky rikthim i Soni Malajt dhe Flori Mumajesit mund të quhet një ngjarje me rëndësi për muzikën shqiptare, por nga ana tjetër kjo ndodh menjëherë pas lajmit se Soni Malaj dhe Klevi nuk janë në ditet më të mira të dashurisë së tyre.

Me siguri, tani të gjithë po mendoni dhe shpresoni të njëjtën gjë, por le t’ia lemë kohës./panorama