.

2020, bie niveli i kriminalitetit – Pandemia sjell më pak vepra penale, më pak autorë dhe të dëmtuar

Pandemia që shoqëroi pothuajse gjithë vitin 2020, duket se ka kontribuuar edhe në uljen e kriminalitetit në vend. Ndërsa ky tregues kishte shënuar rritje në dy vitet e mëparshëm, në vitin 2020, janë evidentuar gjithsej 32.736 vepra penale, 7,0 % më pak, krahasuar me vitin 2019. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, Veprat penale Dhunë në familje, Krime në fushën e drogës dhe Krime me dashje kundër shëndetit janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale ka pësuar rënie.

Të njëjtin trend ka ndjekur edhe numri i autorëve të përfshirë në vepra penale, ashtu si dhe I personave të drejtuar prej tyre.

Në vitin 2020, janë regjistruar 40.956 autorë për vepër penale, 4,9 % më pak, krahasuar me vitin 2019. Numri i autorëve sipas veprave penale përfshin numrin e personave të dyshuar të cilët mund të jenë të pranishëm në më shumë se një vepër penale dhe autori numërohet në të gjitha veprat ku është I dyshuar. Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2020 është 35.213 autorë, 2,4 % më pak, krahasuar me vitin 2019.

Ndërkaq, në vitin 2020, janë regjistruar 17.829 persona të dëmtuar, 5,5 % më pak, krahasuar me vitin 2019. Personat e dëmtuar për krime kundër personit përbëjnë 38,9 % të totalit të personave të dëmtuar. Në vitin 2020, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, femrat përbëjnë 32,8 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit, dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes./ SCAN